Lajmet e fundit

Drama e Shqipërisë!

Jaime Pozuelo-Monfort /Huffington Post

Që kur mbërrita qëllimisht në Shqipëri të dielën e 30 Gushtit kam takuar rreth njëqind nga personalitetet më të rëndësishme të vendit, përfshi ministra, zëvendës ministra, anëtarë të parlamentit, presidentë dhe drejtorë ekzekutivë të bizneseve më të mëdha të vendit, rektorë universitetesh, zëvendës rektorë, dekanë e profesorë, drejtues e menaxherë OJQ-sh, ambasadorë e konsuj nderi, drejtorë fondacionesh të ndryshme, shkrimtarë, piktorë, drejtorë të operas dhe të muzeve, kryetarë komunash, aktorë, regjizorë filmash, gazetarë, reporterë, kryetarë të urdhrave e shoqatave të intelektualëve. Në fakt, unë sfidoj këdo që të gjejë një gazetar të huaj që ka arritur të takohet me kaq shumë nga autoritetet më të rëndësishme të vendit në më pak se tre muaj. Shumë më pyesin se çfarë mendoj për këtë republikë të vogël dhe dinamike në Ballkan. Diagnoza ime duhet të jetë pa doreza: sistemi i Shqipërisë ka dështuar. Diagnoza nuk është e imja por e qindra personaliteteve të rëndësishme të vendit që munda të takoj. Misionet e Bankës Botërore dhe FMN-së zgjasin vetem pak ditë. Realitetin e një vendi në tre muaj mund ta kuptosh vetëm në rrethanat e duhura dhe me një strategji të saktë kampionimi.
E vështirë është për mua ta shpreh të vërtetën pa doreza. Por është e domosdoshme. Përndryshe, do të shkelja atë kod etike që synon të kontribojë për mirëqenien e vendit në të ardhmen. Që të përmirësohemi, duhet që së pari të jemi të sinqertë për dobësitë tona dhe të kuptojmë arsyet pse po dështojnë institucionet e politikat tona. Më pas, duhet të gjejmë zgjidhje të cilat duhen zbatuar me vizion, guxim, disiplinë, largpamësi e vendosmëri, për të mirën e shqiptarëve. Të metat e veçanta të sistemit shqiptar do t’i lë për një analizë të mëvonshme. Këtu dua të të përqëndrohem në çështjet kryesore që kanë sjellë ekspertët në lidhje me shkaqet pse ka dështuar sistemi në republikën e vogël ballkanike, pas 25 vitesh reforma të improvizuara e disi të rrëmujshme, shpesh të nxitura dhe imponuara nga agjencitë ndërkombëtare dhe donatorët.
Në vitin 1991, Shqipëria la pas regjimin komunist më të ngurtë dhe më të izoluar në botë, të dominuar nga Enver Hoxha deri në vdekjen e tij më 1985. Shumë fusha funksiononin më mirë në regjimin e shkuar se sa sot. Ekonomia e tregut dhe demokracia kanë sjellë kaos, korrupsion dhe improvizim në republikën e re dhe dinamike. Për t’u përmendur janë institucionet, transporti publik, sistemi arsimor në të tre nivelet – fillor, të mesëm dhe universitar – që funksiononin shumë më mirë gjatë regjimit komunist. Madje edhe kultura financohej shumë më mirë dhe shoqëria karakterizohej nga mungesa totale e korrupsionit. Askush nuk vë në dyshim nevojën dhe volitshmërinë e përqafimit të një ekonomie funksionale tregu në një sistem ku demokracia funksionon mirë. Por nuk është ky rasti i Shqipërisë të sotme, ku nevoja për të përqafuar politika radikale ndjehet kudo.
U flas elitave shqiptare që mund të lexojnë analizën time. Shumë do të befasohen, madje do habiten nga qartësia dhe thënia troç e gjërave në fjalët e mia. Mos u habisni. Merreni si paralajmërim. Këto nuk janë fjalët e mia. Këto fjalë, këto deklarata që po i bëj të qarta sot, kanë dalë nga gojët dhe zyrat e personaliteteve më të rëndësishme të vendit. Nuk ka vend për optimizëm. Situata është dramatike. Shqipëria duhet të ndryshojë drejtim në udhëtimin e saj për të ndryshuar rrjedhën e historisë së vet. Vendi mund të vazhdojë të lëvizë me shpejtësinë e një lokomotive me avull ose të një treni modern super të shpejtë. Bëni kujdes, në të dy skenarët do të bëjmë përpara duke perceptuar përparim. Elitës aktuale i mungon mprehtësia dhe teknologjia për t’i përshpejtuar ndryshimet në mënyrë që të bëhet i mundur një përmirësimi relativ.
Shqipëria është sot një vend i drejtuar nga një mori partish politike të drejtuara nga një numër i pafund politikanësh mediokër. Si gjithmonë, ka ndonjë përjashtim nga ky rregull. “Martesa” brenda fisit dhe nepotizmi furnizojnë rradhët e administratës publike, ku lidhjet, paratë apo influenca vendosin se kush punësohet në ministrira, bankën qëndrore, bashki, spitale, shkollë dhe universitetet publike. Mungesa totale e meritokracisë i inkurajon të gjithë që të kërkojnë ndonjë mik apo të njohur për të gjetur një “vend” në administratën publike për fëmijët e tyre. Bosët e korporatave të mëdha kontrollojnë mediat tërësisht të polarizuara dhe segmentuara, të cilat, nësë i gjykojmë sipas standarteve perëndimore, thjesht transmetojnë argëtim bajat, mbushur plot dhunë dhe politikë sharlatane pa vlerë, që nuk ka asnjë lidhje me sfidat reale të vendit dhe botës. Në mënyrë të pashmangshme dhe të pavullnetshme, qytetarët bëhen viktima të mjera të një vëllai të madh të tipit të Vitit 1984 të Xhorxh Oruellit, i cili i moleps thashethemet e zakonshme me çështjet që i interesojnë atij.
Shqipëria është sot një vend ku korrupsioni shfaqet në çdo nivel të shoqërisë, nga individi tek grupet, nga të varfërit tek të pasurit. Çdo kush, pa përjashtim, përpiqet të gjejë rrugën e shkurtër për të përfituar një avantazh të padrejtë mbi të tjerët, duke e shfrytëzuar sistemin në të gjitha mënyrat e mundshme. Trysnia e prindërve i detyron mësuesit dhe profesorët të fryjnë notat e fëmijëve të pasanikëve dhe njerëzve të fuqishmëve. Deputetë të parlamentit drejtojnë universitete private me cilësi të dyshimta, të cilat shesin diploma që të rinjtë nuk do të munden t’i përdorin kurrë, ndërkohë që vetë i përdorin fitimet nga këto universitete për të shkolluar fëmijët e tyre jashtë vendit. Papunësia e lartë mes të rinjve dhe ekonomia informale në lulëzim e kufizojnë aftësinë e vendit për të rritur taksat. Edhe pse e ka të pamundur të ndërmarrë rritje normale taksash, ngrehina politike e vendit zgjedh përsëri të përqafojë një politikë rritje taksash. Ata që jetojnë në fshat emigrojnë drejt qytetit në kërkim të një jete më të mirë, të cilën përsëri nuk e gjejnë. Ata në Tiranë, të cilët e kuptojnë se mundësitë do të mungojnë gjithmonë, zgjedhin të emigrojnë jashtë vendit, ku zakonisht punësohen në sektorin e shërbimeve, në punë që kërkojnë më pak se aftësitë e tyre. Ndërkohë, politikanët përpiqen t’i diktojnë shoqërisë mënyrën si duhet të jetë, pa qenë vetë ndonjë shembull që shkëlqen. Vendi nuk ka më modele për t’u ndjekur apo që frymëzojnë.
Fëmijët e lindur pas rënies së komunizmit ndeshen me një treg të tmerrshëm pune, në të cilin aspirata e tyre më e mirë është të gjejnë punë në ndonjë call-center italiane. Ata me fat, të cilët arrijnë të gjejnë një punë, shfrytëzojnë për të çdo lidhje apo njohje të mundëshme. Mungesa totale e konkurrencës bën që universitetet shqiptare të jenë zgjedhja më e keqe e mundshme, përfshi ato private. Ata që munden, i dërgojnë fëmijët e tyre për të studiuar jashtë, për të mos u kthyer më, për të shpëtuar kështu nga gënjeshtra që vendi ka udhëheqje dhe përparim.</p>
<p>Institucionet ndërkombëtare vetëm sa po e përkeqësojnë gjendjen dhe po i bëjnë një shërbim të keq shoqërisë shqiptare, duke shërbyer si çertifikues të përgjegjshmërisë së elitave aktuale. Askush që ka një interes tek ky sistem, nuk mund ta ngrejë zërin. Unë po zgjedh të flas sepse jam një i huaj që nuk humbet asgjë dhe nuk ka konflikt interesi për të folur hapur e ashpër për një një realitet të cilin është e pamundur ta gëlltisësh më. Ose më mirë se një i huaj, duhet thënë një qytetar i botës, i cili, meqë ra fjala, ndihet në shtëpi në Shqipëri.
Po, ka shumë arsye për të qenë optimist kur shikon përparimin e vendit që nga viti 1991. Por, ka shumë vend për t’u shqetësuar seriozisht. Treguesit makroekonomikë mund dhe duhet të jenë shumë më të mirë, duke filluar me të ardhurat për frymë, rritjen ekonomike, nivelin e papunësisë, investimet e huaja apo nivelin e borxhit publik.
Ndërkohë, vendet perëndimore vazhdojnë të eksportojnë në Shqipëri një model të vjetëruar ekonomik, bazuar në përmbytjen e vendit me zgjedhje të shumëllojshme, të panevojshme dhe të tepërta produktesh e shërbimesh të vjetra automatike, të cilat, meqë ra fjala, vendet perëndimore i prodhojnë dhe eksportojnë për t’i shërbyer ekonomive të tyre të zhvilluara dhe personelit të tyre të mirëshkolluar. Shqiptarët vazhdojnë të duan benza dhe i-phone, të cilët çuditërisht gjenden me bollëk në një vend me të ardhura për frymë nën nivelin e 10 mijë dollarëve. Qeverisja e bazuar mbi një politikë të fragmentuar ideologjikisht po shkatërron mundësinë e bashkimit të shoqërisë përgjatë një boshti të ndryshëm nga nacionalizmi dhe futbolli, i cili mund të sjellë gëzim dhe krenari të përkohshme, por kurrë përparim apo mirëqenie. Dhe meqë ra fjala, pavarësisht mbulimit me “veshje” të krahut të majtë apo të djathtë, të gjitha partitë politike ushtrojnë të njejtën ideologji, në qendër të një game të gjerë mundësish.
Shqipëria dhe shqiptarët mund të jenë duke bërë hapa përpara në terma absolutë. Por ajo që ka rëndësi në botën e sotme është përparimi relativ në krahasim me vendet e zhvilluara. Nëse përparimi në të ardhmen e afërt është i ngadaltë, Shqipëria do të vazhdojë të bjerë dhe të mos ngjitet në renditjen ndërkombëtare. Drama, orgjia e keqqeverisjes, korrupsioni i shndërruar në epidimi të shtrirë kudo, të keqijat e nepotizmit e lidhjeve personale kanë për ta shkatërruar këtë vend dhe shoqëri tashmë të hutuar, të lodhur, të humbur në një tranzicion që nuk çon kund, ku dritës së diellit i bëjnë hije interesat e ngushta dhe jo legjitime vendase dhe ndërkombëtare. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, shqiptarët hapën kutinë e Pandorës kur hodhën sytë nga perëndimi si një standard për t’u kopjuar dhe ndjekur. Vendet perëndimore janë shembulli kryesor i asaj çfarë nuk duhet kopjuar ose përqafuar si standart për botën në zhvillim. Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin ato që janë sot në mungesë të diasporave masive të njerëzve të kualifikuar që zbarkuan në brigjet e tyre. Evropa Perëndimore nuk do të ishte ajo që është sot në mungesë të shekujve të tërë kolonolizimi të skajshëm e shpesh abuziv dhe asgjësimit të territoreve të largëta, ku shoqëritë u masakruan dhe iu nënshtruan sistemeve dhe standardeve që thjesht nuk u përshtateshin.
Shqipëria duhet të ndryshojë kursin e qeverisjes dhe udhëheqjes së saj për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Vendi duhet të përqafojë bashkëpunimin ekstrem me fqinjët, përfshi Kosovën por edhe Maqedoninë dhe Serbinë. Të gjithë në Ballkan do të përfitonin nga nje treg i madh. Protagonistët dhe intelektualët e vendit duhet të dëgjojë thirrjen time dhe t’i bashkohen përpjekjeve tona për të nisur modelin post-politik të qeverisjes si një alternativë e re. Te korruptuarit dhe mediokrit ose të largohen ose të përqafojnë ndryshimet radikale. Interesi i përbashkët duhet të ketë përparësi mbi interesin individual deri sa Shqipëria të arrijë një nivel të arsyeshëm mirëqenieje, shumë më të mirë se niveli aktual.
Hetimi im është i saktë, ekzakt dhe i paanshëm. Ai portretizon përmes një rrëfimi të drejtpërdrejtë e përshkrues pjesën kryesore të gamës së opinioneve që kam përfshirë nga afërsisht një qind personalitete. Kushdo që dëshiron të më kundërshtojë mund të përballet me protagonistët vendas që më mirëpritën mua dhe praninë time në republikën më miqësore të Evropës. Unë ndjehem i sigurt dhe i qetë me analizën time. Statistikisht nuk mund të jem i gabuar apo i njëanshëm pasi kam folur dhe kaluar me qindra orë me njohësit nga brenda dhe vizionarët e vërtetë të vendit.
Po ju flas juve, shqiptarë. Ka ende kohë për të ridrejtuar rrugëtimin tonë drejt së ardhmes më të mirë të mundshme. Ju duhet të jeni të guximshëm dhe trima. Së bashku ne mund ta arrijmë këtë me ndihmën e Ëndërrimtarëve Ekspertë. Republika më e bukur dhe më miqësore e Evropës mund ta arrijë ëndrrën, por jo me aktorët dhe palët e sotme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.