Lajmet e fundit
Drecun: Mesazhet e Beogradit po japin rezultate

Drecun: Mesazhet e Beogradit po japin rezultate

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar se mesazhet që Beogradi zyrtar po ia dërgon popullit serb në Kosovë kanë sjellë rezultate, ashtu që pret se një numër i madh i serbëve do të dal në zgjedhje ndonëse shumë më tepër në jug se sa në veri të Ibrit.

Në një prononcim për TV “Pink” të Beogradit, Drecun ka thënë se tash më është evidente se lista të cilën po e mbështet Beogradi do të fitojë besimin më të madh të serbëve që do të dalin në zgjedhje, dhe ka shtuar se mbetet edhe shumë për t’u bërë në veri të Kosovës në sqarimin se çfarë rëndësie kanë këto zgjedhje për ekzistencën e popullit serb në Kosovë.

Ai ka theksuar se Bashkësia e Komunave Serbe (BKS) është mënyrë për t’u krijuar korpusi unik serb, në kuptimin politik- ekonomik, i cili do ta vazhdojë luftën për ekzistencë dhe prosperitet të popullit serb

Sipas Drecunit, Prishtina nuk dëshiron që serbët të dalin masivisht në zgjedhje dhe ta mbështesin “Listën srpska”, veç të dal një numër i vogël kryesisht ata të cilët po i mbështesin disa lista tjera tek të cilët ka ndikim Prishtina. “Interesi i Prishtinës është që ‘Lista serbe’ të marrë sa më pak vota që ajo në atë situatë të mund të pengojë formimin e BKS ose, në qoftë se formohet, ta kontrollojë dhe ta shpartallojë nga brenda”, ka thënë Drecun dhe ka cekur se po dëgjohen vërejtjet se Beogradi njëanshëm po vihet në anën e një liste.

“Mirëpo fjala është mbi faktin se Beogradi është i detyruar t’u ofrojë garanci serbëve nëse dëshiron t’i inkurajojë të dalin në zgjedhje, se ato do të sjellin intensifikimin e raporteve me Serbinë qendrore”, ka thënë Drecun.

Beogradi nuk po e mbështet “Listën wrpska” për ndonjë arsyeje partiake a tjetër, por, vetëm për faktin që me anë të saj mund t’i tregoj popullit serb se pas zgjedhjeve nuk do të lihet në mëshirën dhe pamëshirën e Prishtinës, veçse ajo Listë serbe do të jetë garanci e lidhjes së Bashkësisë së Komunave Serbe me Beogradin, dhe “kthimin e Serbisë në Kosovë”, ka nënvizuar Drecun.

Leave a Reply

Your email address will not be published.