Shqipe Pantina
Ndër shtyllat kryesore të funksionimit të një shteti në veçanti në shtetet demokratike është gjyqësori profesional dhe i pavarur. Republika e Kosovës për fat të keq ende nuk ka arritur të ndërtoj një gjyqësor që për bazë ka vetëm ligjin gjatë procesit të gjykimit. Sistemi jonë i drejtësisë u tregua i pa aftë deri më tash të i shqyrtonte e të merrte vendime për dhjetëra e qindra raste që ende presin nëpër sirtarët tejet të pluhurosur të gjyqtarëve. Kjo pa aftësi e tyre mundësoi lulëzimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin rrënjët e të cilit janë shtrirë aq gjerë në shoqëri e aq thellë në institucione sa do ma duhet shumë përpjekje e mund për ta çrrënjosur.
Kjo pa aftësi e sistemit të drejtësisë dhe ndikimit tejet i madh i politikës në të, i thënë vjet për vjet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian doli në shesh veçanërisht këta muajt e fundit me mënyrën e përndjekjes dhe arrestimit të deputetëve të opozitës. Thënia “të gjithë të barabartë para ligjit” është i vetmi mision për shërbyesit e drejtësisë në ato vende ku sundon ligji, por jo edhe në Kosovë ku “ligji ende është ne dorën e Maliqit” E kjo u pa më së miri këta muajt e javët e fundit ne veçanti me arrestimet e deputetëve të Republikës së Kosovës, kur u arrestuan 13 deputetë të opozitës: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli, Donika Kadaj-Bujupi, Ismaj Kurteshi, Haxhi Shala, Fisnik Ismajli, Pal Lekaj, Teuta Haxhiu, Time Kadria, Aida Dwrguti, Besa Baftiu e Glauk Konjufca.
Ndonëse të gjithë deputetët e opozitës akuzoheshin për vepër të njëjtë penale, masat e shqiptuara nuk ishin të njëjta. Disa u arrestuan (bile me angazhimin e mijëra policëve përfshi njësitet anit terror me tyta të gjata pushkësh) e po mbahen në arrest, për disa të tjerë u kërkua arresti shtëpiak e disa të tjerë u lanë të lirë për të u lajmëruar në polici dy herë në javë. Dhe këto masa nuk vareshin as nga veprimet e deputetëve brenda sallave të Kuvendit por kryesisht nga sa ata kishin qenë të zëshëm gjatë fjalimeve të tij në kuvend apo deklarimeve publike kundër pushtetit. Madje edhe këtu kishte ndryshime varësisht se kë kishe kritikuar. Në armë u shndërruan fjalët dhe e vërteta, sepse ajo vret më së shumti.
Pra deputetët u arrestuan për përdorim të armës në Kuvend, e që është fjala e tyre, e jo gazi lotsjellës. Pushteti kishte angazhuar gjithë aparatin e vet jo vetëm të brendshëm : deputetë, ministra, polici por edhe gazetarë e analistë, sa gati e quajtën armë bërthamore gazin lotsjellës, të cilin dhe qindra herë e kishin hedhur, dhe vazhdonin ta hidhnim, në drejtim të qytetarëve në cdo protestë.
E se gazi lotsjellës nuk është armë dhe mbajtja e tij nuk është vepër penale tashmë e kishte thënë Gjykata.
Në maj të këtij viti Gjykata Themelore për Krime të Renda në Prishtinë në Aktgjykimin P nr 544/10 ndaj të akuzuarit B.J nga Graqanica i cili kishte hedhur gaz lotsjellës në një qendër tregtare, kishte dënuar këtë të fundit me 400 euro gjobë. Të njëjtin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit Aktgjykimi PAKR nr 396/15. Gjykata kishte vendosur në bazë të ekspertizës së toksikologjisë se “Gazi lotsjellës nuk paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e njeriut”
Të gjithë juristët, dhe jo vetëm, e dinë se në drejtësi përdorët parimi i praktikës gjyqësore, që nëse për një rast të njëjtë ka një gjykim atëherë ai merret bazë për rastet e më pasme. Arsyet pse Gjykata Themelore në Prishtinë nuk e mori për bazë një gjykim të vetin të më hershëm për një rast të ngjashëm, nuk i di por cilado qofshin ato sërish vë në pah paaftësinë e gjyqësorit për të garantuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Dhe nuk janë deputetët e opozitës të akuzuar nga prokuroria që do vuajnë pasojat e pa aftësisë, nivelin e ultë të profesionalizmit apo ndikimet politike mbi sistemin e drejtësisë. Deputetët edhe mund të mbahen në burg për disa muaj por një ditë do të lirohen. Por pasojat e vendimeve të tilla do i vuajmë të gjithë qytetarët e këtij vendi. Qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh se ç’far thonë qeveritarët, nuk do mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë të paktën edhe për një vit.
A e meritojnë qytetarët e Kosovës të qeverisën nga një klasë e tillë të korruptuarish dhe të pa aftësh, le ta vendosin vet!
Autorja është deputete e Lëvizjes Vetëvendosje