Kompania Publike e Komunës së Prishtinës “Sportmarketing” prej vitesh dërgon qindra nxënës në shkollën e skijimit “Shtëpia e Gurit” në Brezovicë.
Mirëpo si duket ky vit kaloi pa i dërguar nxënësit në këtë shkollë. Arsyet janë nga më të ndryshmet por arsyeja më e madhe qëndron në keqpërdorimin e mjeteve nga drejtorët e shkollave të komunës së Prishtinës.
Në një prononcim për arbresh.info, drejtoresha e arsimit në komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci ka thënë se ende janë duke e shqyrtuar mundësinë e dërgimit të nxënësve në këtë shkollë pasi që sipas saj kanë marrë informata për keqpërdorime.
“Ende nuk i kemi dërguar dhe nuk e di nëse do t’i dërgojmë pasi që kemi vërejtur disa keqpërdorime. Kompania ‘SportMarketing’ ka shpërblyer drejtorët me nga 3 euro për kokë të nxënësve, kështu nëse një drejtor i ndonjërës shkollë ka dërguar 100 nxënës i ka marr 300 euro gjë të cilën nuk do të duhej ta bënte, andaj për këtë ende nuk kemi vendosur t’i dërgojmë”, ka thënë ajo.
Duket se këto shkelje në këtë kompani kanë filluar qysh në kohën kur LDK qeveriste me komunën e Prishtinës. Në disa lista të vitit 2012 të siguruara nga portali shihen urdhrat dërguar arkës për mëditjet e këtyre drejtorëve.
Tek shkolla fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, ish-drejtori i kësaj shkolle Qazim Çeta merr 7 mëditje në çmim prej 103 euro, po i njëjti merr mëditje si instruktor skijimi 140 euro.
Pastaj tek shkolla fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, drejtori i kësaj shkolle Osman Vitia si instruktor skijimi merr mëditje 140 euro.
Poashtu në bazë të urdhrit dërguar arkës shpenzimet për një javë për një grup nxënësish dhe mëditjen e stafit të shkollës “Elena Gjika”, kanë qenë 911 euro, ku përfshihen artikujt ushqimor, materiali higjienik, benzina dhe nafta.
Ymer Rama kryetar i bordit të kësaj kompanie ka arsyetuar këto mëditje duke thënë se u kanë dhënë këto mëditje drejtorëve për shkak të stimulimit që të sjellin nxënësit në këtë shkollë dhe të mos hyjnë nxënës serb.
“Ne e kemi përgatitur motelin dhe të gjitha gjërat duke pritur të vijnë nxënësit mirëpo si duket këtë vit nuk do t’i sjellin. Unë qe katër herë kam kontaktuar drejtoreshën e arsimit në komunën e Prishtinës Arbërie Nagavci për të biseduar me të por ajo nuk më ka pritur. Kjo çdoherë ka ekzistuar për mëditjet, pra ne u kemi dhënë mëditje sepse e kanë merituar pasi që kanë sjell nxënësit në këtë shkollë sepse po të mos i sjellin aty do të hynin nxënës të nacionalitetit serb”, ka thënë ai duke shtuar se nëse komuna urdhëron të mos u japin mëditje do ta ndalin një gjë të tillë.
Në këtë shkollë të gjithë punonjësit janë të nacionalitetit serb kjo vërehet edhe në një listë të pagave të siguruar nga portali. Në bazë të informatave këta punonjës paguhen edhe nga kjo kompani që është nën ombrellën e komunës së Prishtinës njëkohësisht paguhen edhe nga Beogradi. Lidhur me këtë Rama ka thënë që nuk ka ndonjë informatë.
Por tani kjo kompani është bërë edhe me drejtor të ri dhe portali arbresh.info ishte në dijeni që më parë pa u përfunduar konkursi për të zgjedhurin e tanishëm Nexhat Uka.
“Nuk e di për këtë nuk kam dëgjuar. Tani e reja është se SportMarketing është bërë me drejtor pra Nexhat Uka ndërsa ka qenë me u.d. Kjo është bërë pas konkursit ku kanë konkurruar pesë vetë dhe Uka ka dalë më i miri në intervistë. Mirëpo ne jemi duke e humbur këtë shkollë pasi që nxënës shqiptar më nuk po vijnë sepse komuna nuk po lejon dhe kjo është keq për ne”, është shprehur ai.
Në anën tjetër burime të portalit arbresh.info brenda komunës së Prishtinës bëjnë të ditur se është duke u përgatitur një padi për këtë kompani mirëpo duhet pritur raportet e auditorit që të vërtetohet një gjë e tillë.
“Kemi informata se po bëhen keqpërdorime, ku nxënësit që po dërgohen pastaj për ta po merren para, dhe kemi bërë gati një padi mirëpo po presim edhe raportet e auditorit që të vërtetohet një gjë e tillë”, ka thënë burimi./Arbresh.info