Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk ka pasur dëshirë që Kombëtarja shqiptare ta ketë për kundërshtarë Zvicrën në Euro 2016. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka zbulon se dëshironte të evitonte Zvicrën, ndërsa ëndërronte që Shqipëria të luante ndeshjen hapëse të evenimentit ndaj Francës.
“Të gjitha skuadrat e Europianit janë shumë të mira dhe shumë të forta dhe nuk mund të thuash me këtë apo atë kundërshtar do ta kemi më të lehtë. Realisht nuk do ta dëshiroja ndeshjen e parë me Zvicrën, por pak më vonë. Do më pëlqente më tepër përplasja e parë me Francën, ndërsa me Zvicrën do të jetë një betejë e hapur”, ka deklaruar Duka për Super Sport.
“Por, ky është shorti, ne do të përgatitemi të bëjmë më të mirën për ta kaluar grupin. Personalisht ishte shumë i kënaqur që shihja vajzën me flamurin e Shqipërisë që kërcente në skenë, por që Shqipëria është mes më të mirëve të Europës. Por, nuk mund të kënaqemi me kaq. Janë të gjitha skuadra që mund të humbësh apo të fitosh. Po ti zgjidhja me dorë, ndoshta do të preferoja një ekip tjetër, jo Zvicrën”, theksoi ai.