Megjithëse festimet për kualifikimin në europianin e Francës nuk janë mbyllur ende, kreu i FSHF-së, Armand Duka ka nisur të shohë disi më larg.
Në fjalën e mbajtur në Presidencë gjatë dekorimit të Kombëtares me titullin “Nderi i Kombit” nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Duka premtoi se kuqezinjtë nuk shkojnë për shëtitje në finalet e një kompeticioni kaq të rëndësishëm, shkruan Top Channel.
“Dua të siguroj që do të kemi një përfaqësim dinjitoz në Francë. Një gjë ta keni të sigurtë, nuk po shkojmë për turizëm në Francë, do shkojmë për të bërë një paraqitje dinjitoze”, tha Duka.
Kombëtarja u nderua me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Nishani pas fitores 0-3 ndaj Armenisë. Titulli u tërhoq nga kapiteni Lorik Cana, që ftoi të gjithë djemtë e skuadrës për ta ndarë këtë gëzim së bashku.