Lajmet e fundit

Dukagjin Gorani dhe ‘Lista’ e tij do t’i bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje

Analisti politik, ish këshilltar i Hashim Thaçit në kohën kur ky i fundit drejtone qeverinë e vendit, ka filluar një iniciativë politike bashkë me disa personalitete të tjera nga shoqëria civile, me të cilën do t’i bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajmi.net, ka mësuar se Dukagjin Gorani, në takimet që ka zhvilluar me struktura të larta të Vetëvendosjes, janë pajtuar që iniciativa e tij politike t’i bashkohet partisë së drejtuar nga Visar Ymeri, për të garuar së bashku në zgjedhje, të cilat ata besojnë se do të organizohen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Iniciativa politike e Goranit për të cilën kohëve të fundit është folur shpesh në opinion, sipas burimeve të lajmi.net, nuk do të shkrihet në Vetëvendosje.

Gorani dhe njerëzit rreth tij nuk kanë pranuar që iniciativa e tyre të shkrihet në partinë e themeluar nga Albin Kurti, me qëllimin që të ruajnë identitetin e tyre liberal.

Ish – këshilltari i Hashim Thaçit, sipas këtij burimi, për këtë temë ka biseduar edhe me deputetin rrebel të Vetëvendosjes, Ilir Dedën, i cili thuhet se e ka mirëpritur iniciativën e Goranit. Megjithatë, ky i fundit thuhet ta ketë kritikuar Dedën për qasjen politike ndaj veprimeve të opozitës, ku i ka thënë se po flet si Qeveria. Ai thuhet t’i ketë thënë Dedës se duhet kontribuar që skena politike kosovare të polarizohet sa më shumë, në mënyrë të ndarjes së qartë të grupimeve që duhet t’i përkasin të ardhmës dhe të kaluarës.

Gorani, sipas këtij burimi të lajmi.net, në takimet me lidershipin e Vetëvendosjes, ka shprehur kundërshtim edhe sa i përket bashkëpunimit me AAK-në dhe Nisma-n, duke thënë se këto dy parti nuk dallojnë nga ato që qeverisin sot vendin. Sipas tij, alternativa për ndryshim duhet të jetë e pastër, dhe jo të përfshijë subjekte politike që në periudha të caktura duke qenë pjesë e qeverisjes, janë përgjegjëse për situatën në të cilën e kanë sjellë vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.