Sot ishte përvjetori i Heronjve të Kosovës Toni e Mici , ku Nehat Duraku shprehë publikisht që ju plotësua ëndrra e tijë pasi Ish-Komandanti Ramush Haradinaj ishte i pranishëm në përvjetorin e Heronjve të Kombit , ne do ju sjellim shkrimin nga Nehat Duraku :
Sot, pas 17 vjetësh, m’u largua edhe një breng pasi Ramush Haradinaj, mori pjesë në përvjetorin e bashkëluftëtarëve të tij, Xhelal Hajda-Toni e Selajdin Mullabazi-Mici. Xhelal Hajda-Toni, pas përfundimit të luftës për çlirimin e Kroacisë shkon në Gjermani, ku u vendos afër Shtutgartit tek dajtë e Krushës së Madhe, aty punoi dhe veproi një kohë. Me fillimin e luftës në Kosovë, bashkë me shokun e tij Bekim Berisha-Abeja dhe disa oficerë të tjerë shqiptarë, ishin ndër të parët që iu përgjigjën zërit të atdheut. Kështu, në fillim të marsit 1998 – të, pas luftës së Jasharajve, Xhelal Hajda-Toni, përmes Ton Markut, nga i cili mori edhe nofkën e luftës në Kosovë, nga Kroacia fluturon drejt aeroportit të Rinasit, ku pritet nga Naim Maloku dhe Fehmi Hoti. Nga këtu, bashkë me një grup shokësh hyn në Kosovë. Fillimi i luftës komandant Tonin e gjen në Dukagjin dhe bashkë me Lahi Brahimaj, etj, në Shqiponjë (ish Jabllanicë) krijojnë kazermën ku strehohet me ushtarët e ardhur. Kjo kazermë ishte dhe për vullnetarët që ia kishin mësyrë Kosovës. Pas luftimeve të para që ndodhen në Gllogjan me 24 mars 1998-të, Xhelal Hajda –Toni, shkon në ndihmë ku merr përsipër edhe organizimin e Zonës Operative të Dukagjinit. Për aq kohë sa qëndroi në Dukagjin, kreu detyrën e shefit të Shtabit të Z.O.D. Kjo bëri që Xhelal Hajda-Toni, të lidhet me familjen Haradinaj, ku vijn edhe refrenet e këngës ” Krah e gjoks i Dukagjit, i Luanit e Shkëlzen Haradinit”. Pas daljes publike të UÇK-së, edhe në Zonën Operative të Pashtrikut, Xhelal Hajda-Toni vjen në vendlindjen e tij, ndërsa Selajdin Mullabazi-Mici, kthehet nga Zonën Operative të Drenicës. Kështu, Toni dhe Mici, u bënë bashkë në Luftën Çlirimtare dhe nuk u ndanë as në vdekje. Toni, kontaktet dhe bashkëpunimin me familjen Haradinaj nuk e shkëputi. Ai bashkëpunoi deri në ditën e rënies, më 06 nëntor 1998-të. Varrimi i Tonit dhe Micit, u bë në rrethana lufte në qytetin e Rahovecit, ku morën pjesë vetëm familjarët sepse ky qytet, pas ofensivës së verës të vitit 1998-të, sërish kishte rënë në duart e forcave serbe. Me këtë rast, në Shtabin e Retisë, në rrethana të tjera, atë kohë Toni e Mici, pas ofensivës së verës në shtator, kishin riorganizuar UÇK-në. Më 12 nëntor, u organizua ceremoni për homazhe ku u bë dhe fotografia e Xhafer Kadirit, e cila pushtoi mediat e Kosovës dhe ato të huaja. Atë ditë, e prita Ramush Haradinajn që do të vinte për nderime. Kërkoja me sy në turmën e ushtarëve të UÇK-së, mos ishte, por JO! E ngushëllova veten dhe thashë: rrethanat e luftës nuk e kanë lejuar! Pas përfundimit të luftës, më 6 nëntor 1999-të, në ditën e rënies, u bë rivarrimi i Tonit dhe Micit. Atë ditë, Rahoveci ishte i mbushur me njerëz, të cilët kishin ardhur për t’ua dhënë lamtumirën e fundit. Në mesin e ushtarëve e të popullit, përsëri me sy kërkoja Ramush Haradinajn, shikoja Tahir Sinanin, Lahi Brahimajn, Daut Haradinajn, Ton Markun, etj, por Ramushin përsëri nuk e shihja! I bëja pyetje vetes: athua pse s’ka ardhur?! Sërish m’u desh ta gjeja një ngushëllim. Çdo përvjetor, me 6 nëntor, unë e prisja Ramush Haradinajn. Pas vitit 2005, kur filloi edhe gjykimi në Hagë, më nuk e kërkoja,ndodhi edhe zbulimi i Shtatorëve të Tonit e Micit me 06 Nëntor 2010.
Pas lirimit nga Haga , sërish nisa ta prisja Ramush Haradinajn, Baca Hilmi Haradinaj bashkë me të tjerë ishin gjithmonë të pranishëm, por Ramushi, JO! Ramush Haradinaj, kishte qenë me qindra herë në Rahovec dhe në familjen Hajda, ku e kishte vizituar nënën e Tonit. Nëna e Tonit, kishte shkuar në dasmën e tij. E kisha takuar në shumë raste në Rahovec, por aty ku e prisja unë, ai nuk ishte! Nga pritja e madhe, mbrëmë e thirra shokun e hershëm Smajl Latifi dhe e pyeta se a do të jetë i pranishëm Ramushi me 6 nëntor 2015? Pas një kohe, ma konfirmoi që po. Më këtë ma largoi një ngushëllim 17 vjeçar. Sot, në përvjetorin e 17-të, të Tonit dhe Micit si dhe të 3 dëshmorëve të tjerë: Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri, e bëra edhe këtë foto me bashkëluftëtarin e Tonit dhe Micit, Ramush Haradinaj.
Shkruan : Nehat Duraku