Lajmet e fundit

Durrës, në trafikun e drogës, 4 nga të arrestuarit janë biznesmenë

Disa nga të arrestuarit në Durrës gjatë operacionit antidrogë “Kordinata” ku u sekuestruan 700 kilogramë kanabis janë biznesmenë, pronarë lokalesh dhe komanishë nafte në Shqipëri dhe në Itali.

Sipas Policisë së Durrësit, Pajtim Braçaj, 52 –vjeç, i cili akuzohet për transportin e kanabisit nga Kruja në Durrës është pronar i një kompanie nafte në Tiranë, me aktivitet Fier dhe Vlorë.

Bejto Kotaj, 53 – vjeç, nga Shkodra, i cili ishte financuesi i kultivimit të kanabisit, rezulton pronar i një bar –kafeje të njohur në zonën e ish –Bllokut, Tiranë.

Lokalin, ai e ka në bashkëpronësi me Ajet Sulajn, 40 – vjeçarin që rezulton bashkëfinancues i kultivimit të kanabisit.

Kurse  39 –vjeçari Festim Xhelilaj, sipas të njëjtave burime, është pronar i një kompanie në Itali.

Nga hetimet doli se droga përpunohej në laboratorin që ishte ngritur në vilën e cila është pronë e Valter Pashollarit, i shpallur në kërkim.

Prokuroria për krimet e rënda ka zbardhur edhe mënyrën se si funksiononte ky grup kriminal.

Qerim Xeka mblidhte kanabis të papërpunuar në fshatrat e Krujës, Bejto Kotaj siguronte lëndën narkotike në zonën e Shkodrës, ndërsa Ajet Sulaj furnizohej me kanabis në zonat e jugut.

Në gjetjen dhe transportimin e lëndës narkotike, Qerimi ndihmohej nga djali i tij i quajtur Lutfi Xeka.  

Ajet Sulaj, organizonte transportin e lëndës narkotike nëpërmjet personave nën hetim Naim  Xhelilaj dhe Pajtim Bracaj.

Shtëpia ku grumbullohej lënda narkotike në Porto Romano mbahej në mbikqyrje nga personat e dyshuar Valter dhe Euglen Pashollari, të cilët merreshin edhe me paketimin e saj. (Klan.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published.