Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë shprehur pakënaqësi të mëdha me menaxhimin e procesit zgjedhor në komunat veriore nga OSBE-ja dhe EULEX-i, ditën e votimeve më 3 nëntor, bëjnë të ditur burime të besueshme të gazetës Tribuna.
Ndonëse publikisht, lidershipi i Kosovës ka dalë me deklarata që lënë të kuptohet se në veri kishte vetëm incidente të izoluara, burimet e gazetës kanë thënë se EULEX-it dhe OSBE-së i janë adresuar kritika të ashpra nga Prishtina zyrtare për lejimin e interferimit të elementeve ekstremiste nga Beogradi në veri me qëllim të dëmtimit të procesit.
Sipas këtyre burimeve, Beogradi zyrtar kishte dy objektiva të dielën.
Së pari, me anë të Iniciativës Qytetare Srpska të fitonte në komunat që tashmë ishin integruar në sistemin legal kushtetues të Kosovës, si Graçanica, Ranillugu, Shtërpca, Kllokoti e Novobërda dhe së dyti, ta prishte procesin në veri, në mënyrë që kjo çështje të hapej sërish si temë bisedimesh në Bruksel për një ofertë të veçantë për veriun.