Dy persona kanë mbetur të plagosur në rrugën “Xhavit Syla” në Komunën e Suharekës si pasojë e të shtënave me armë zjarri në orët e vona të natës së sontme.
Lajmin për KosovaPress e konfirmoi komandanti i stacionit të Policisë në Komunën e Suharekës, Milazim Lumi.
Ai tha se viktimat janë jashtë rrezikut për jetë dhe se Policia ia ka dalë ta vë në pranga të dyshuarin.
“Për momentin mund të konfirmojmë se janë dy persona të plagosur nga shkëmbimi me armë zjarri. Kjo ka ndodhur pas një zënke. I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe për momentin është në ndalje”, tha Lumi.
Lumi tha se që të dy viktimat janë jashtë rrezikut për jetë.
KosovaPress merr vesh se zënka ndodhi pas një loje futbolli mes disa të rinjve të kësaj komune.