Një vajzë e mitur në qytetin e Korçës tentoi të vriste veten duke u hedhur nga kati i tetë i një pallati. Për më shumë se një orë, 14-vjeçarja me iniciale S.C., shkaktoi një gjendje ankthi mes banorëve të lagjes dhe familjarëve, duke kërcënuar se do t’i jepte fund jetës me hedhje nga tarraca e pallatit ku kishte hipur.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr 17 të qytetit juglindor, në orën 13:15, në tarracën e pallatit tetëkatësh i sapondërtuar në qendër të qytetit. Duke u varur mbi parvazin e tarracës së pallatit, vajza e mitur kërcënonte se do të hidhej nga maja e pallatit.
Dyshimet e para janë se adoleshentja ishe e mërzitur nga një lidhje dashurie për arsye që nuk dihen dhe ka vendosur të reagojë në mënyrë ekstreme. Në vendngjarje shkuan shumë forca policore. Disa punonjës policie u përpoqën të bindnin vajzën të mos hidhej nga pallati.
Rreth orës 14:40, pas një ore e gjysmë ankthi dhe tensioni, vajza u bind, pasi aty u afrua shoku i saj dhe familjarë si dhe dy punonjës policie dhe një psikologe. Pasi vajza u zbrit poshtë, si nëpër filma, ishte një fund i lumtur. Ajo u përqafua me djalin dhe me të afërmit e saj.