Armand Duka, presidenti i FSHF-së, në një intervistë për mediat greke, i ka dhënë përgjigje edhe shpifjeve serbe.
Serbët aludonin se Shqipëria ka paguar katër futbollistë armenë në ndeshjen e fundit në Jerevan, ku kuqezinjtë e Kombëtares sonë arritën të siguronin kualifikimin për në Euro 2016.
“Unë nuk merren me raportet e tilla, ata e kanë në origjinë. Më lejoni t’ju them që Shqipëria ka luajtur në këto eliminatore nga e para deri në minutën e fundit në mënyrë të drejtë. Askush nuk na dha asgjë dhe kemi marrë në fushë atë që ishte e drejtë”.
“Unë mund t’ju jap edhe një shembull për këtë: në përballjet me Francën ne kemi marrë 4 pikë, një fitore dhe një barazim. Kjo tregon se ne e kemi merituar”, ka deklaruar presidenti Duka.
Kreu i FSHF-së ka treguar edhe frikën në ndeshjen ndaj Armenisë, për mundësinë e një dështimi për të arritur vendin e dytë, pas humbjeve në minutat shtesë me Portugalinë dhe Serbinë.
“E vërteta është se pata frikë, sepse humbjet kundër Portugalisë dhe Serbisë, erdhën në minutat e fundit, humbje që goditën psikologjikisht lojtarët”.
“Por tani unë jam i lumtur, sepse kushdo që është pjesë e kësaj kombëtareje (lojtarët, trajneri, federata, tifozët), të gjithë së bashku, qëndruar të fokusuar në qëllimin tonë dhe arritëm këtë dëshirë të të gjithë kombit”, raporton “Panorama Sport”.