E pabesueshme, por e vërtetë. Peticionin e nisur nga opozita kundër marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi e kanë nënshkruar edhe disa nga drejtuesit e PDK-së. Bëhet fjalë për drejtuesit e PDK-së në dy shtete evropiane, raporton Gazeta Blic.
Lajmin e ka konfirmuar deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj. Ajo këtë gjë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku i ka publikuar edhe nënshkrimet e tyre.
“Aksioni per nenshkrimin e peticionit po vazhdon. Sot peticionin e nenshkruan edhe Halim Hamdi Krasniqi krytar i PDK-se Austri dhe Xhavit Berisha krytar i PDK-se Itali. Vazhdojme”, ka shkruar ajo në Facebook, derisa ka publikuar edhe dy fotografi së bashku me këta dy kryetarë te degëve të PDK-së, raporton Gazeta Blic.
Partitë opozitare tash e sa ditë janë duke mbledhur nënshkrime kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi. Partitë opozitare, ndërkohë që kanë bllokuar edhe Kuvendin e Kosovës, duke vendosur si kusht tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet me Serbinë nga ana e kryeministrit të vendit, Isa Mustafa.
Në anën tjetër, koalicioni PDK- LDK ka drejtuar akuza se partitë opozitare po rrezikojnë funksionimin e demokracisë në këtë vend./ Gazeta Blic
