Lajmet e fundit

Edhe gjatë vitit 2016 qytetarët mund të mbledhin kuponë fiskal

Qytetarët do të vazhdojnë të fitojnë para nga grumbulli i kuponëve fiskal edhe në vitin 2016. Ata  të cilët kanë mbledhur kuponët fiskal nga Prilli i 2015’tës, do të mund ta bëjnë të njëjtën edhe këtë vit. Këtë e lejon udhëzimi administrativ i Ministrisë së Financave i cili nuk e ka të definuar afati kohorë sa do të zgjasë ky projekt i grumbullimit dhe dorëzimit të kuponëve fiskal.  Që nga prilli i 2015’tës, qytetarët e Kosovës kanë përfituar mbi 1 milion euro. Ndërsa numri i atyre që kanë dorëzuar kuponë fiskal në Administratën Tatimore ka arritur në mbi 76 mijë

Udhëzimi Administrativ nga Ministria e Financave “Nxitjet dhe Motivimet për marrje të kuponëve fiskal” nuk e definon afatin kohorë për grumbullimin dhe rimbursimin e kuponëve fiskal. Kështu qytetarët mund të vazhdojnë të mbledhin kuponë fiskal në baza tre mujore dhe të fitojnë para.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express Administrata Tatimore e Kosovës. Ata kanë thënë se udhëzimi Udhëzimi Administrativ MF-Nr. 01/2015 konkretisht Neni 26 – “Nxitjet dhe Motivimet për marrje të kuponëve fiskal”, nuk e definon (saktëson) afatin kohorë sa do të zgjasë ky projekt i grumbullimit dhe dorëzimit të kuponëve fiskal nga qytetarët.

“Derisa nuk kemi ndonjë vendim tjetër i cili do të ndalonte këtë projekt të grumbullimit dhe dorëzimit të kuponëve fiskal, atëherë mbetet që qytetarët mund të vazhdojnë në grumbullimin e kuponëve fiskal dhe të dorëzojnë në zyrat e ATK-së në baza tremujore siç është specifikuar në UA  MF-Nr.01/2015 dhe Vendimi Shpjegues Publik Nr.02/2015”, thuhet në vazhdimësinë e përgjigjes.

Projekti për marrjen e kuponëve fiskal që filloi në vitin 2015’të kishte ngjallur shumë interesim tek qytetarët e Kosovës.

Janë plotë 76.883 qytetarë të cilët kanë grumbulluar dhe kanë dorëzuar në dy periudhat e mbledhjes së kuponëve fiskal në ATK. Kurse vlera që Shteti iua ka kthyer qytetarëve arrin në mbi 1 milion.

Për këtë, ATK-ja thotë se për grumbullim dhe dorëzim të kuponëve fiskal nga periudha në periudhë ka pasur rritje shumë të madhe.

“Nëse krahasojmë periudhën (Prill, Maj, Qershor = TM2 ) me periudhën (Korrik, Gusht, Shtator = TM3 ) kemi një rritje deri në 142%. Pra nga 22425 pliko sa janë dorëzuar në TM2 është rritur numri i qytetarëve të interesuar për grumbullim të kuponëve fiskal në 54458 për TM3. Nëse mbledhim të dy periudhat kemi numrin 76883 qytetarë.”

“Shuma totale që është rimbursuar nga ATK për qytetarët gjatë periudhës (TM2 dheTM3 – 2015) deri me 31.12.2015 është 1,241,270€”, thuhet në përgjigjen e Administratës Tatimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.