Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se i dënon ashpër aktin e shëmtuar të dëmtimit të varrezave katolike në Romajë të Hasit.
Ajo vlerëson se veprimet e këtilla janë të papranueshme.
Presidentja Jahjaga thekson se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar për kultivimin e mëtejmë të harmonisë dhe tolerancës ndërfetare si vlerë e çmuar e shoqërisë sonë.
Presidentja Jahjaga i ofron mbështetjen e plotë banorëve të fshatit Romajë të Hasit, të cilët janë prekur nga ky veprim i shëmtuar, ndërsa i fton institucionet e drejtësisë që të veprojnë me shumë profesionalizëm dhe sa më shpejtë të zbardhen rrethanat, të identifikohen kryesit dhe të njëjtit të nxirren para drejtësisë.