Lajmet e fundit

Edhe LDK e Mitrovicës kërkon që “Parku i Paqes” të hiqet nesër

Respektimin e Marrëveshjes së arritur ne Bruksel për heqjen e “Parkut të Paqes” më 15 tetor, e ka kërkuar edhe dega e LDK-së në Mitrovicë, duke i dalë në mbështetje kështu kryetarit të komunës, Agim Bahtri, i cili sot ka insistuar se heqja barrikada duhet të filloj nesër, ashtu siç është paraparë.

“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Mitrovicë, Safet Kamberi, kërkon që të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel, për fillimin e punëve për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, në mënyrë që brenda afatit të paraparë, të krijohen kushte për lëvizje dhe qarkullim të lirë të qytetarëve dhe mallrave, gjë të cilën e presin  qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe në cilën pjesë të qytetit jetojnë.

Dega e LDK-së në Mitrovicë përkrah punën e deritashme që kanë bërë institucionet lokale dhe qendrore të vendit, për përcaktimin e kufirit administrativ midis dy komunave, në bazë të planit të Ahtisarit, si dhe kërkon që këto institucione të mbështesin qëndrimin e institucioneve lokale në krye me kryetarin Agim Bahtiri, lidhur këtë çështje dhe fillimin e punëve për rivitalizimin e urës mbi Ibër, ashtu sikur që është vendosur në bisedimet në Bruksel”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton Veriu.info.

Dega e LDK-së në Mitrovicë thotë se çdo përpjekje që fillimi i punëve për rivitalizimi i urës së Ibrit të kushtëzohet me përcaktimin e vijës administrative ndërmjet komunave, përtej asaj që parasheh pakoja e Ahtisarit, është e papranueshme dhe nuk i shërben qëllimit të përbashkët përmirësimin e raporteve ndëretnike në Mitrovicë.

“Prandaj, me qëllim të ruajtjes të stabilitetit të krijuar kohëve të fundit,  Dega e LDK-së në Mitrovicë,  kërkon që punët në rivitalizimin e urës, të fillojnë qysh nesër, pra , më 15.10.2015, në mënyrë që funksionalizimi i plotë i saj të bëhet deri në fund të qershorit të vitit 2016, ashtu sikur parasheh marrëveshja”, përfundon komunikata. /Veriu.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.