Nuk është vetëm opinioni i Kosovës që po e interpreton në mënyra kontradiktore verdiktin e Gjykatës Kushteteuse të Kosovës por janë edhe mediat ndërkombëtare ato që japin qoftë tone të ndryshme ashtu edhe tituj kontradiktorë për këtë vendim të organit më të lartë të drejtësisë në Kosovë.
Pas vendimit në të cilin Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, bëri të ditur se disa pjesë të marrëveshjes së fundit për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS) e nënshkruar më 25 gusht të këtij viti nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, agjensitë botërore të lajmeve bëjnë të ditur që “Gjykata Kushtetuese e Kosovës kritikon marrëveshjen me Serbinë”- njoftojnë agjensitë e lajmeve AP dhe AFP. Në të njejtën kohë media tjera siç janë Reuters e DPA thonë që “Gjykata Kushtetuese aprovon marrëveshjen me Serbinë” duke shtuar se ka disa vërejtje të natyrës gjuhësore por që nuk e cenon marrëveshjen në fjalë e në këtë frymë kanë raportuar edhe mediat serbe që shkruajnë se Gjykata Kushtetuese e ka hapur rrugën për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.