Aktivistë nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe ajo e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Berlin, kanë protestuar të shtunën, duke shfaqur shqetësimet e tyre mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, në veçanti lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me Serbinë më 25 gusht, si dhe marrëveshjen e 26 gushtit për demarkacion me Malin e Zi.
Ata kanë thënë se pushteti aktual në Kosovë po e keqpërdor secilin institucion shtetëror,vetëm e vetëm që ta shtypë opozitën, ashtu që t’i realizojë në përpikëri projektet e Serbisë brenda Kosovës.
Sipas tyre, “Zajednica” dhe demarkacioni me Malin e Zi cenojnë rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Ndarja etnike e Kosovës përmes ‘Zajednicës’ është hap i parë drejt bosnjëzimit të shtetit tonë. Prandaj, nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Prandaj, do të angazhohemi deri në fund që t’i ndalim këto marrëveshje”, thonë ata.
Ata më tej thonë se Qeveria e Kosovës është marrë peng nga politikat e gabuara, dhe si e tillë nuk është e aftë për të siguruar interesat vitale të shtetit dhe qytetarëve të saj.
“Ne si mërgatë, gjatë gjithë ekzistencës sonë kemi qenë faktor i rëndësishëm për nxitjen dhe mbrojtjen e interesave të atdheut. Edhe tani në kushte të reja po vazhdojmë veprimtarinë tonë, për të kundërshtuar fuqishëm dhe pa kompromis ‘Zajednicën’ dhe demarkacionin me Malin e Zi, duke përkrahur politikat e mirëfillta për zhvillimin e Republikës dhe të shtetit të së drejtës, pa dallim përkatësie etnike dhe duke mos e lejuar ndarjen e shtetit në vija etnike, të cilat do na kthejnë ne dhe Kosovën në shekullin e kaluar”, thuhet në komunikatën për media.
Më fund të kësaj proteste, pos fjalimeve të mbajtura në gjuhën shqipe dhe gjermane, një përfaqësues i tyre dorëzoi përfaqësuesit diplomatik të Republikës së Kosovës një shkresë me kërkesat e tyre, duke nënvizuar përgjegjësinë e Ambasadës së Kosovës për të përfaqësuar shtetit dhe jo pushtetin.