Lajmet e fundit

Edhe shoqëria civile i kishin kërkuar BE-së të jetë FER për liberalizimin e vizave (Dokument)

Përfaqësuesit e shoqërisë civile ishin pothuajse të parët që kishin ngritur zërin kundër standardeve të Komisionit Evropian në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Qysh në muajin mars disa përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë ia kishin adresuar një letër të hapur Komisionerit për Zgjerim, Joahnnes Hahn, komisionerit për Migrim, Dimitris Avramopoulos dhe përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, transmeton Republika.info.

Përmbajtja e letrës kishte vetëm një kërkesë, që procesi për liberalizimin e vizave, reformave dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian të jetë “FER” për Kosovën.

Por, nëntë muaj më vonë lutjet e Luan Shllakut, Venera Hajrullahut, Lumir Abdixhikut, Fisnik Korenicës, Lulzim Pecit, Ismet Kryeziut, Florian Qehajës, Lorik Bajramit, Petrit Zogajt, Alban Halitit, Florent Mehmetit, Hajrullah Çekut dhe Nora Ahmetajt nuk u dëgjuan. Kosova ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit dhe Evropës Lindore, kishte më shumë kritere për të përmbushur, disa pothuajse të paarritshme për shtetin më të ri në Evropë.

Në letrën e tyre, këta aktivistë të shoqërisë civile kishin shprehur brengën që Kosova, ndryshe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është vendi i vetëm i izoluar. “Ajo që është edhe më shqetësuese: Kosova duket se është më larg arritjes së këtij qëllimi sot, sesa që ishte në vitin 2012“, thuhej në këtë letër, transmeton Republika.info.

Sipas tyre, problemi më serioz që shoqëria civile në Kosovë kishte identifikuar është fakti se BE-ja nuk është duke trajtuar Kosovën në mënyrën e njëjtë, siç ka bërë me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në letër ata i bëjnë thirrje përfaqësuesve të BE-së, që në raportin që është publikuar dje, të përdorin formulime precize për progresin apo mosprogresin që është bërë në procesin e liberalizmit të vizave. Por, nëse lexohet me vëmendje ky raport, përfaqësuesit e BE-së duket se as këtë kërkesë të shoqërisë civile nuk e kanë marrë fare për bazë, transmeton Republika.info.
Në këtë letër shoqëria civile kishin paralajmëruar se kjo padrejtësi që po i bëhet Kosovës ua pamundëson atyre të bëjnë presion mbi Qeverinë e Kosovës për punën ose mospunën e tyre.

“Nëse Bashkimi Evropian përdor kriteret fer, të qarta dhe transparente, ne jemi në një pozitë kur mund të bëjmë presion mbi qeverinë tonë për të punuar më shumë. Mungesa e një gjuhë të qartë shërben si një pengesë për ne, që qeveria të përmbush kriteret…”, thuhej në këtë letër.

Shoqëria civile në fund i kishin bërë thirrje BE-së, që ta trajtojnë Kosovën njëjtë siç kanë bërë me shtetet tjera të Ballkanit dhe Turqinë, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.