Ligji për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2007, por si i tillë ai asnjëherë nuk hyri në fuqi. Arsye atëbotë ishte mos nënshkrimi nga ana e shefit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Rücker.
Më pas, ishin zyrtarët vendorë më të lartë institucionalë që premtuan se në vitin 2015 Ligji për Sigurimet Shëndetësore në Kosovë do të fillojë së implementuari. As kjo nuk u bë. Bilës, ligjit ju shtua edhe një afat kohorë, u tha se në 2016-ën ligji do të nis së implementuari.
Përndryshe ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ndryshe nga ajo që tha Ministria e Shëndetësisë e cila shprehet e bindur që në vitin e ardhshëm do të implemenetohet Ligji për Sigurimet Shëndetësore, anëtarja e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha për KosovaPress se as në këtë vit që hymë nuk do të arrihet që të implementohet ky ligj.
Deputetja Kadrija, tha se ky ligj ka qenë vetëm një premtim i kotë. E kjo sipas saj do të zvarritet pasi Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë sinjal për veprime konkrete në këtë drejtim.
Time Kadrijaj thotë se është skeptike se viti 2016 do sjell këtë ligj.
“Edhe në vitin 2016 nuk do të ketë fillim të implementimit të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, sepse nuk është përmbushur dhe ende nuk e kemi sistemin e informimit shëndetësor që është obligativ me i pas të gjitha ato fonde”, tha Kadrijaj.
Ajo përmendi edhe buxhetin për këtë Ligj në vitin 2015, i cili ishte 20 milionë euro, por pasi nuk u fillua me implementimin e tij, atëherë ato të holla u shpërndanë në sektor të tjerë.
Madje sa i përket buxhetit për këtë Ligj në vitin 2016, ajo tha se ende nuk ka ndonjë buxhet të veçantë.
Viti në të cilin hymë, sipas Time Kadrijaj do të jetë një vit i vështirë për shëndetësinë kosovare, dhe për pacientët kosovarë të cilët po kërkojnë trajtim në institucionet shëndetësore, pasi që premtimi i Qeverisë se prioritet të saj e ka shëndetësinë mbetët vetëm në letër, sepse prioritet i tyre siç thotë Kadrijaj është punësimi i njerëzve partiak.
E në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kanë filluar të bëjnë mbledhjen e kontributeve të cilat do t’i paguajë secili i punësuar në sektorin publik dhe privat.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti tha për KosovaPress se kjo ministri i ka kryer të gjitha përgatitjet në atë mënyrë që viti 2016 t’i gjej më të përgatitur për të filluar me punimet e implementimit të skemës së sigurimeve në sektorin publik.
“Ligji për sigurime shëndetësorë ka paraparë që qytetarët të kenë dy lloje të sigurimeve. Sigurimin shëndetësor të obliguar, të cilin duhet ta ketë secili banor i Republikës së Kosovës dhe sigurimin shëndetësor plotësues për të cilin mund të konkurrojnë edhe kompanitë e ndryshme private me qenë se është formë e sigurimeve plotësuese, d.m.th i plotëson ato të obliguarat që do t’i ofrojë shteti përmes kontributeve që do të mblidhen. Kontributet do të paguhen në vlerë prej 3.5 për qind i punësuari dhe 3.5 për qind të pagës punëdhënësi, si në sektorin publik edhe në sektorin privat. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka kryer përgatitje të shumta në mënyrë që viti 2016 të na gjej edhe më të përgatitur dhe të fillohet të punohet me implementimin e skemës së sigurimeve në sektorin publik”, tha Hoti.
Ai tha se në këtë proces ministria duhet të jetë e përkrahur edhe nga subjektet e tjera, sepse çështja e implementimit të sigurimit nuk varet ekskluzivisht vetëm nga ministria.
Ndërsa sa i përket buxhetit, Hoti tha për KosovaPress se buxheti për sigurimet shëndetësore do të jetë rreth 80 milionë, në të cilën përfshihen kontributet nga sektori publik, privat dhe nga kontributi i qytetarëve të cilët paguajnë qytetarët nga 2 euro për çdo anëtar të familjes.
Nga dalja e kontributeve është paraparë që diku 36 milionë të grumbullohem nga sektori publik, 38 milionë shtesë nga sektori privat, plus 6 milionë nga kontributet që do të mblidhen nga ata që paguajnë 2 euro për kokë të anëtarit të familjes, kësisoj të krijohet një buxhet shtesë prej 80 milionë euro që bashkë me buxhetin që ndahet Ministrisë Shëndetësisë, përkatësisht sektorit shëndetësor të arrij t’i mbuloj ato kërkesa që sigurisht do të jenë për vitin e parë kur Kosova do të implementoj sigurimet shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë ka treguar që është duke punuar edhe në komponentë të sistemit të informimit shëndetësor që lidhet me sigurime shëndetësore si dhe aktivitetet tjera të cilat kanë për qëllim që në vitin 2016.