Lajmet e fundit
Edhe viti 2016 mund të përfundojë pa sigurime shëndetësore për qytetarët!

Edhe viti 2016 mund të përfundojë pa sigurime shëndetësore për qytetarët!

Ndonëse zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë vazhdimisht thonë se fondet për zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore, të miratuar qysh në vitin 2007, do të mblidhen në tremujorin e fundit të këtij viti, në mënyrë që ky ligj të fillojë të zbatohet vitin e ardhshëm, zyrtarë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) shprehen skeptik se një gjë e tillë do të ndodh.

Që nga viti 2007 kur është miratuar Ligji për sigurime shëndetësore janë përmendur shumë data për fillimin e zbatimit të tij, por ai asnjëherë nuk ka filluar të zbatohet, madje ky ligj një herë ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për KosovaLive se tashmë Këshilli përgatitor për themelimin e Fondit të sigurimeve shëndetësore, që do të jetë pasardhës i Agjencisë të financimit të shëndetësisë, tashmë ka filluar përgatitjet për fillimin e implementimit të këtij ligji.

Sipas tij, deri tash është punuar në legjislacionin sekondar (hartimin e akteve nënligjore), sistemin e informimit shëndetësor për pjesën e sigurimeve shëndetësore, draftçmimorën e shërbimeve shëndetësore që do të kontraktohen, ngritjen e kapaciteteve njerëzore të Agjencisë së Financimit, ndërkohë që do të vazhdohet edhe me përgatitje të tjera, ashtu që kur të startohet me sigurime, ato të jenë të qëndrueshme dhe qytetarët të marrin nga lista e shërbimeve ato shërbime për të cilat kanë kontribuar në Fond.

Faik-Hoti-300x200

“Përgatitjet po bëhen që mbledhja e kontributeve (premiumeve) të fillojë në tremujorin e fundit të këtij viti, ndërsa kontraktimi i shërbimeve midis Fondit dhe institucioneve shëndetësore do të bëhet në fundin e vitit tjetër.

Sipas Ligjit për sigurime shëndetësore, llogaritet që fillimisht për 36 muajt e parë të mbledhjes së premiumeve (kontributeve), si përqindje prej 7 % nga të ardhurat bruto të ndarë në pjesë të barabarta ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarit (çdonjëri 3.5%), dhe më vonë kjo përqindje do të përcaktohet dhe aprovohet nga Qeveria dhe Kuvendi”, ka theksuar Hoti.

Ai ka shtuar se si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat dhe privato-publik, i punësuari do të paguajë 3.5% të pagës bruto për sigurime, e po ashtu 3.5% do të paguajë edhe punëdhënësi, kurse të punësuarit në biznese të ndryshme, të cilat nuk realizojnë qarkullim vjetor më të madh se 50 mijë euro, do të paguajnë nga 2 euro për anëtar të familjes në muaj.

Sipas Hotit, ligji do të ofroj dy lloje të sigurimeve shëndetësore: sigurime shëndetësore të obliguara, të cilat duhet t’i ketë çdo qytetar dhe banor i Republikës së Kosovës dhe të cilat do të ofrohen ekskluzivisht  vetëm nga Fondi, si dhe sigurime shëndetësore vullnetare apo plotësuese, të cilat do të ofrohen edhe nga kompanitë private të sigurimeve në bazë të kontratës që do të lidh i siguruari me to.

Sipas Ligjit për sigurimet shëndetësore, çdo i punësuar do të paguajë 16 euro për fondin për sigurimet shëndetësore, të njëjtën shumë do ta paguajë edhe punëdhënësi. Ata që nuk janë të punësuar dhe ata që punojnë në kompanitë e mesme e të vogla, do të paguajnë nga 2 euro për secilin anëtar të familjes.

Për sëmundjet që kanë kosto mbi 30 mijë euro dhe që duhet të trajtohen jashtë vendit, sigurimi shëndetësor do t’i mbulojë 70% të shumës. Për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet shëndetësore publike, qytetarët do të kenë të drejtë të drejtohen tek institucionet private, ku familjet me asistencë sociale do të jenë të liruar nga pagesa, ndërsa për studentët, pensionistët dhe ata që janë nën 18 vjeç, do të paguajnë familjarët e tyre.

Skeptik se ky ligj do të gjej zbatim në vitin 2016 është shprehur drejtori i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, Skënder Syla, i cili ka thënë për KosovaLive se edhe viti i ardhshëm mund të përfundoj pa sigurime shëndetësore për qytetarët e Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova ka hartuar dhe aprovuar një ligj solid për sigurime shëndetësore pas një procesi konsultativ me palët e ndryshme të interesit ku edhe OBSH-ja ka dhënë kontributin e saj. Sipas tij, në Kosovë nuk ka mungesë të ligjeve dhe strategjive të mira, por problemi kryesor qëndron në zbatimin e tyre.

Skender-Syla-300x200

“OBSH-ja nuk mund të parashikojë saktësisht se kur do të fillojë së zbatuari Ligji për sigurime shëndetësore, sepse nuk është në mandatin dhe fushëveprimin tonë një çështje e tillë.

Sidoqoftë bazuar në përvojat e vendeve të tjera që kanë kaluar në këtë proces, ky është një proces i gjatë që kërkon plan të qartë të veprimit, kapacitete humane profesionale që e udhëheqin këtë proces, komunikim të qartë nëpërmjet mediave me publikun e gjerë lidhur me aspektin e sigurimeve shëndetësore, koordinim në mes të ministrive të ndryshme dhe institucione të tjera, përgatitja adekuate e sistemit shëndetësor si për kah aspekti i të dhënave ashtu edhe pakoja e shërbimeve që do të ofrohen”, ka theksuar Syla.

Ai ka thënë se OBSH-ja rekomandon që të ketë qasje universale në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.