Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste për emisionin Opinion, të drejtuar nga Blendi Fevziu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur tek raportet në koalicion, akuzat ndaj ministrave, çështja CEZ etj.
Kryeministri ka mbrojtur edhe një herë marrëveshjen me CEZ, duke theksuar se nëse nuk do të firmosej ky pakt, shteti shqiptar do të humbte 800 milionë euro. Rama tha se kjo marrëveshje pati mbështetjen e BE, FMN, BE dhe Komisionit Evropian. Rama pohoi se po përgatit një dosje për qeverinë e Sali Berishës, për rolin e saj në aferat e CEZ. Rama iu referua Berishës, Bodes, Rulit dhe një grupi drejtorësh të PD. Duke u ndalur tek koalicioni, kryeministri pranoi se ka patur debate politike me Ilir Metën. Por, Rama shtoi se konfliktet nuk kanë qenë aq të mëdha nga sa mendonte në fillim.
-Si janë raportet mes jush dhe z. Meta?
Duket si ato mbledhjet e Frontit; si i ke raportet me vajzën e filanit…duket tamam si mbledhje Fronti.
-Ju dhe Basha keni bashkëpunuar për të ngarkuar me përgjegjësi z. Meta…
Paske bërë një analizë shumë të thellë për këtë. Sikur të thelloheshe edhe më shumë te ato dokumentet që të kanë bërë gati…
-Si janë raportet mes jush dhe z.Meta?
Po pse ju intereson kaq shumë juve?!
-A ka pasur një takim mes jush dhe z.Basha?
Takimet e mia me shokun tuaj, më duket se i fantazoni ju.
-Marrëdhëniet e tua me Metën nuk më interesojnë fare. Por, si janë marrëdhëniet në lidhje me koalicionin?
Nuk kam fare dëshirë, se më duket vetja si në ato mbledhjet e Frontit. Marrëdhëniet janë krejt normale. Kur unë kam marrë nismën për të krijuar këtë partneritet strategjik dhe kur kemi krijuar këtë koalicion, ne nuk kishin menduar që të kishim kaq pak konflikte. Kam qenë i bindur se koalicioni do funksiononte. Por, kam menduar se do kishim më shumë probleme sa ç’kemi hasur. Kemi pasur pak debate të natyrës politike, nga sa e kisha menduar. Kemi debate shumë të rralla dhe asnjë konflikt.
-A ua ka shprehur Meta gjendjen e keqe ekonomike dhe për ministrat tuaj?
Ne e kuptojmë fare mirë njëri-tjetrin. Ju siguroj që në asnjë rast nuk kemi pasur distancë në gjykimin përfundimtar të gjërave.
-A ka kërkuar Meta largimin e ndonjë ministri?
Jo, Meta nuk më ka kërkuar largimin e askujt nga qeveria. Nuk kam asnjë lloj detyrimi t’ju them se çfarë i kërkojmë ne njëri-tjetrit, këto janë debate të brendshme. Ju betohem që, në asnjë moment, Meta dhe unë nuk kemi folur për ndryshime qeverie. Nuk janë të vërteta të gjitha ato budallallëqe që ju shiten shqiptarëve.
-A ka krizë të brendshme në raportin tuaj politik?
Mua më duket më shumë krizë e medias, sesa krizë politike. Ju thashë, kemi pasur shumë herë më pak debate me njëri-tjetrin. Unë jam person që punoj në konflikt me bashkëpunëtorët, domethënë në tension. Kam shumë nevojë për tensionin e skuadrës për t’i çuar gjërat përpara, dhe po ju them që, tensionet kanë qenë minimale. Ja shikoni rezultatin. Po të ishin të vërteta të gjitha ato gjëra që thuhen, diçka do kishte plasur.
-Edhe ka plasur, se deklarata e Metës nuk ishte kaq…
Plasi për pantallonat e oficerëve të SHQUP…
-Avokati juaj ka dëshmuar se Ilir Meta është i përfshirë në aferën e CEZ….
Ku është i përfshirë Ilir Meta…ma nxirni dëshminë e avokatit. Më tregoni shkresën për të gjithë këtë histori që keni ngritur.
-Kemi një dëshmitar për këtë çështje…
Dëshmitarët e mbrojtjes nuk abuzojnë në këtë farë feje. Nuk kam parë ndonjë dëshmitar të mbrojtjes. Paguhet për t’u mbrojtur dhe jo për të aktruar.
-Braho ju ka dërguar juve, edhe kreut të Parlamentit një letër, në të cilën thotë se ky është një skenar ndaj Metës ku është përdorur dhe emri juaj. A keni pasur dijeni që emri juaj është përmendur?
Sa njerëz e përdorin emrin tim…sa goca tezesh kam unë, ndërkohë që nuk kam teze…Kush nuk e përmend emrin dhe jo këta profesionistët. Gjithë kjo histori është një absurditet dhe unë nuk merrem fare.
-Doja të fokusoheshim tek marrëveshja CEZ-DIA dhe tek prishja e marrëveshjes me CEZ…
Nëse ka një aspekt të pakontestueshëm për nga standardet evropiane, për nga standardet ligjore, për nga vlerat e shtuara për publikun, është pjesa e negociatave dhe zgjidhja me marrëveshjen e konfliktit.
-Çdo të thotë zgjidhja me marrëveshje?
Do të thotë se, në rast se nuk do të arrihej marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim të një konflikti që nuk e hapëm ne, por ne e gjetëm në pragun e derës me të filluar rrugën e qeverisjes. Atëherë, CEZ kishte të drejtën të pretendonte 500 milionë euro nga borxhet që konsumatorët i kishin kompanisë. 102 milionë euro nga vlera e kompanisë dhe 200 milionë euro nga vlera e aseteve që CEZ dispononte. Pra, 802 milionë euro.
-Shteti shqiptar pretendonte 1 miliard euro.
Mos më sill përrallat e Saliut!
-Jo nuk janë përrallat e Saliut, janë dokumente që vijnë nga ekspertë ndërkombëtarë. Kompanitë e konsulencës ankohen që ju nuk i keni përfshirë zoti Rama.
Nuk më interesojnë intervistat, unë di dokumente të shkruara. Mbi të gjitha, për fat të mirë negociatat për zgjidhjen me marrëveshje janë zhvilluar në zyrat e komunitetit në Vjenë. Me të gjitha standardet ndërkombëtare, me të gjitha kriteret e përcaktuara qartë në mënyrë transparente dhe nën vëzhgimin e Komunitetit të Energjisë Elektrike. Nëse Komuniteti i Energjisë në Vjenë është një institucion integriteti i të cilit mund të vihet në dyshim, hajde e nisim bisedën nga e para.
-Ka një presion politik dhe një aferë politike për të pasur…
Nuk ka pasur asnjë presion politik që ka përcaktuar zgjidhjen e këtij konflikti. E ka përcaktuar një negociatë e shkëlqyer që është bërë nga ana jonë dhe po ju them që vetëm para në formën e borxheve të konsumatorëve ndaj CEZ, janë 500 milionë euro. Në formën e aseteve, 200 milionë euro dhe në formën e vlerës së privatizimit të kompanisë 102 milionë euro. CEZ mund të pretendonte 802 milionë euro. Plus ç’mund të pretendonte për të gjithë atë barbari që ju bë.
-Pse ishte barbari?
Dëgjoni vetëm kaq. Shteti ndërhyn me polici, përzë pronarët e një kompanie dhe çfarë bën, vendos një administrator të vetin dhe nuk merr mundimin as të bëjë procedurën më elementare, që është shpronësimi i kompanisë dhe kalimi në pronësi të shtetit. Pra ka vendosur një person në pronën e tjetrit me letra. Dhe tjetri vetëm me ato copë letra mund të shkonte në çdo gjykatë të botës. Do kishte kërkuar dhe fituar jo vetëm ato që kemi llogaritur, por dhe shumë më tepër për dëmin.
– Kemi një institucion që është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ju akuzon që i keni sjellë shtetit një humbje prej 479 milionë eurosh.
KLSH është një institucion shtetëror që është kthyer në një vegël në shërbim të argumenteve krejtësisht pa asnjë bazë të Partisë Demokratike. Nuk po u hy shifrave fare, shifrat janë aty dhe flasin vetë. Në të gjithë raportin e KLSH nuk përcaktohet masa ligjore përkatëse, ndaj grupit që negocioi punën. KLSH nuk është aty për t’i treguar qeverisë se si duhej të ishte vepruar. KLSH është për të thënë që në veprimin e vet qeveria ka shkelur ndonjë ligj, apo jo. Dhe duke shkelur ligjin, çfarë dëmi ka shkaktuar qeveria. Për këtë është KLSH, nuk është nëse do ta zgjidhte marrëveshjen qeveria me gjyq apo me mënyrë tjetër. Ndërkohë, për më tepër KLSH, nuk përcakton asnjë dokument zyrtar mbi të cilin janë ngritur këto pretendime. Sepse nuk ekziston.
-Ka një raport ku thuhet, e përse ka ndodhur ky dëm prej 479 milionë euro?
Ai është një hartim politik për të vërtetuar premisën se këtu është bërë një shkelje. Si mendoni ju se kjo është tani ‘bir Selmani i nënës kë të qaj më parë?’. Opozitën, KLSH, ju që ju kam përpara, si mendoni ju të gjithë bashkë? Ju mendoni FMN, BB, Komuniteti i Energjisë, KE, të gjitha këto institucione janë të përfshira në një konspiracion të madh. Janë kaq të përfshira sa nuk arrijnë të thotë të vërtetën e kësaj historie, apo janë bashkësi institucionesh idiotike që nuk shohin këtë katrahurë që e ka zbuluar Saliu. KLSH demaskoi vetveten duke bërë atë që paralajmëroi Saliu dy-tre javë përpara. Zgjidhja e kësaj mosmarrëveshjeje është një histori suksesi. Pse? E para, sepse 802 milionë euro që ishin të pretenduara nuk i shkuan. Nga ai 500 milionëshi që nuk e llogarisin fare, që janë komplet, kaq të verbuar nga etja për pushtet dhe nga ankthi për të sulmuar.
-FMN, BB ju kanë sugjeruar ta zgjidhnit me marrëveshje?
E kanë përshëndetur marrëveshjen dhe marrëveshja ka hapur rrugën.
-Ai ishin këto institucione që përshëndetën privatizimin e CEZ?
Të përshëndesësh një privatizim, mund të ketë një opinion. Këtu nuk flasim për opinione, flasim për shifra. Nuk janë shifrat tona që i referohen FMN e BB, janë shifrat e marrëveshjes që i referohen ata dhe ne.
-A ishit ju në dijeni ju që Shqipëria ishte në Arbitrazh me DIA dhe mund të humbnit këtë Arbitrazh?
Ju nuk i dini fare gjërat dhe flisni përçartë. Kjo për arsyen e thjeshtë se merrni kallëp ato që i thonë ata, të cilat kanë interesa t’i thonë. Në rast se nuk do të ishte zgjidhur me marrëveshje çështja e CEZ, nuk e njihte palën tonë fare DIA, sepse konflikti midis pronarit, i cili nuk ishte shpronësuar, por ishte pronar akoma. Ata ishin pronarët e përzënë, njësoj si…e dini ju që kemi hyrë në negociatë me pronarët?
-Ata ishin pronarë pa licencë, i kishte hequr ERE?
Kjo është njësoj si të thuash një i huaj ka një pronë këtu, një hotel, ia marrin pasaportën dhe thonë “hoteli është i imi”, kështu i thonë. Licenca është pasaportë.
-A kishte licenca të drejtë për të operuar në Shqipëri?
Ata nuk kishin licencë por ishin pronarë, në pronën e tyre, dhe ne nuk bënim dot asnjë. Dhe çfarë të bënim ne? Të rrinim për vite të tëra dhe të përfundonim në një humnerë, ndërkohë këtu njerëzit kishin nevojë për zgjidhje, ndërkohë që këtu financat e shtetit shqiptar ishin në rrokopujë.
-Pse nuk hetoni? PD ka depozituar një projektligj për këtë, kush është përgjegjës le të shkojë në burg?
Nuk bën qeveria hetime. Ne, megjithatë, po përgatisim një dokumentacion shumë të hollësishëm për në Prokurori, po e përgatisim por kërkon kohë, kërkon punë dhe së shpejti do e kemi gati. Ata e kanë marrë vesh që shumë shpejt ajo çështje do të shkojë atje dhe janë hedhur të bëjnë sa më shumë tym që të mos merret vesh asgjë dhe shqiptarët të thonë “ hë mo se këta të gjithë hajdutë janë”. (SN)