Lajmet e fundit

Edita Tahiri: Dialogu duhet të vazhdojë

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se, pavarësisht pengesave që Serbia ia bëri Kosovës për mospranim në UNESCO, dialogu për normalizim të marrëdhënieve duhet të vazhdojë.

Tahiri thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë i ka vlerësuar si zëra që nuk mendojnë thellë. Në këtë intervistë për “Epokën e re” ministrja Tahiri ka bërë me dije se ndërprerja e dialogut do ta dërgonte Kosovën drejt një izolimi. “Duke qenë se jemi shtet në rrugën zyrtare të anëtarësimit në BE, me nënshkrimin e MSA-së, ne dialogun e kuptojmë si plotësim të standardeve për fqinjësi të mirë.

Prandaj do ta vazhdojmë dialogun. Zërat që thonë se dialogu duhet të ndalet janë zëra të cilët nuk mendojnë thellë sepse, nëse mendohet thellë, këta zëra thonë se Kosova duhet të izolohet. Pra, ta ndalë rrugën e integrimit evropian, ndërsa ne me Kushtetutë e kemi obligim që shtetin ta bëjmë anëtar të BE-së, të NATO-s, të OKB-së etj”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka treguar se fushata antievropiane e Serbisë për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ka shkelur parimet themelore të dialogut të Brukselit.

Sipas saj, kjo çështje duhet ta tërheqë vëmendjen e BE-së, meqenëse është lehtësuese e këtij dialogu. “Sjelljet e Serbisë e kanë cenuar dialogun e Brukselit, prandaj po theksoj se është BE-ja ajo që duhet ta adresojë këtë shqetësim”, është shprehur Tahiri. Ndërkaq sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar marrëveshjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Tahiri ka thënë se nuk duhet të paragjykohet kjo çështje. Ajo ka shtuar se, nëse Kushtetuesja këtë marrëveshje e cilëson antikushtetuese, atëherë ajo do të rinegociohet.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse do të ketë ndonjë element që kontestohet, normalisht se duhet të rinegociohet. Por, para se të ndodhë kjo, mendoj se ne nuk duhet ta paragjykojmë procesin, sepse tani duhet të flasë Gjykata Kushtetuese e jo ne”, ka thënë Tahiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.