Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se që nga dita e nesërme do të filloi procesi i bashkimit të Mitrovicës dhe i gjithë proceseve që vendosin normalitet dhe stabilitet në vendin tonë.
Këto komente, Tahiri i ka bërë në një intervistë për “Zërin”, ku ka thënë se që nga dita e nesërme do të hiqet barrikada mbi lumin Ibër apo siç njihet ndryshe “Parku i Paqes”. Sipas Tahirit, me heqjen e “Parkut të Paqes”, do të filloj edhe revitalizimi i kësaj ure.
“Barrikada mbi lumen Ibër apo siç njihet ndryshe “Parku i Paqes”, do të hiqet nesër ashtu sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel më 25 gusht të këtij viti. Ky proces i heqjes së “Parkut të Paqes”, do të jetë në të njëjtën ditë edhe fillimi i revitalizimit të urës së Ibrit dhe të gjitha proceset heqja dhe nisja e punimeve për revitalizimin e urës do të realizohen nga ana e Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë”, ka treguar Tahiri për “Zërin”.
Ajo më tej ka thënë se ky proces do të shënoj edhe fillimin e procesit të bashkimit të Mitrovicës.
“Pas revitalizimit të urës së Ibrit, ura do të hapet për të gjitha automjetet dhe për këmbësorë ashtu siç ka qenë gjithmonë urë e cila ka ofruar siguri e lëvizje të lirë, por për ne, opinionin dhe qytetarët ka rëndësi edhe më të madhe politike, sepse kjo urë që nga paslufta ka qenë një urë e ndarjes sidomos e qytetit të Mitrovicës. Prej nesër fillon procesi i bashkimit edhe i Mitrovicës por edhe i gjithë proceseve që vendosin normalitet dhe stabilitet”, ka deklaruar Tahiri për “Zërin”.
Ministrja, po ashtu ka treguar edhe arsyen përse kjo barrikadë nuk është hequr më herët.
“Siç e dini në marrëveshjen e arritur në muajin gusht është precizuar data 15 tetor dhe ka qenë edhe koha e fundit që të hiqet barrikada, sepse edhe në korrik të vitit të kaluar kemi pas arritur një marrëveshje të tillë, por e cila është shtyrë për shkaqet siç i shpjegon BE-ja, të shmangies nga tensionimet politike, por tani ka ardhur koha që të hiqet kjo barrikadë. Unë kam dëgjuar disa zëra që ngrinin dyshime, nuk ka asnjë vend për dyshime, nesër edhe hiqet barrikada edhe fillon revitalizimi i urës së Ibrit”, ka thënë për fund Tahiri./ZËRI/