Shkruan ekskluzivisht për Gazetën Kosova Sot:: Ulrike Lunacek
Citimi i mësipërm i sociologut dhe ekonomistit të famshëm politik gjerman, Max Weber, është shumë e përshtatshme në fillim të Vitit të ri 2016, po ashtu edhe për Kosovën.
Weber thotë se njerëzit nuk do ta arrinin “të mundshmen”, sikur vazhdimisht të mos tentonin ta arrinin “të pamundurën” dhe, ai shton: “Bile edhe ata që nuk janë as liderë, e as heronj, duhet të pajisen me atë vendosmëri të shpirtit, e cila është në gjendje që të ballafaqohet edhe me situatat kur shuhen të gjitha shpresat. Kjo është e nevojshme që tani, apo përndryshe, njerëzimi nuk do të jetë në gjendje që ta arrijë (të fitojë) as atë që është e mundshme sot”.
Evropianët në përgjithësi dhe kosovarët, në një mënyrë të veçantë, janë duke përjetuar momente të vështira. Për kosovarët, viti 2015 ka qenë më i vështirë sesa që është pritur kur Republika e Kosovës e shpalli pavarësinë në vitin 2008. Gati 8 vjet më vonë, kosovarët kanë nevojë për ‘vendosmërinë e shpirtit’ për të cilën flet Weber, me qëllim që ta vazhdojnë përpjekjen e tyre për të shkuar përpara, duke e bërë këtë vend më të ri evropian të tillë që ta ketë besimin e tërë qytetarëve të tij dhe të cilët do të jenë të lumtur që të jetojnë në të.
Viti 2015 është karakterizuar nga disa zhgënjime të theksuara dhe nga një sukses i madh. Le të fillojmë me suksesin: Miratimi i MSA-së me Kosovën është një e arritur e madhe për rrugën e integrimit të Kosovës në BE. Unë fuqishëm e mirëpres këtë progres, për shkak se, për herë të parë, BE-ja dhe Kosova kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuale. Ajo do të hyjë në fuqi menjëherë pas votimit pëlqyes në PE, në janar dhe do të ofrojë një nxitje të fuqishme për qytetarët e Kosovës dhe për ekonominë e saj, duke çuar deri te vendet aq të nevojshme të punës, sidomos për të rinjtë.
Ky përparim, për fat të keq, ka mbetur nën hije nga disa zhvillime shumë frustruese. Lexuesit e gazetës “Kosova Sot” janë të njohur me faktet, prandaj unë nuk do të hyj në detaje, por në vend të kësaj do të sugjeroj sesi mund të jetë e ardhmja, në sensin e përkufizimit të politikës nga Weberi, si përpunim të fortë dhe të ngadalshëm të dërrasave të forta: rruga ende është e vështirë, por, Po, ju mundeni!’ – është e mundshme që t’i tejkaloni sfidat dhe të shkoni përpara!
Refuzimi “i ngushtë” i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO
Si sjellja e Serbisë, po ashtu edhe mungesa e unitetit votues në mesin e anëtarëve të BE-së, meritojnë një kritikë të ashpër. Aktivitetet e qeverisë së Serbisë dhe të Kishës ortodokse serbe në raport me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, nuk kanë qenë në frymën e fqinjësisë së mirë, gjë që qëndron në esencën e procesit të dialogut. Disa liderë serbë pa dyshim manifestuan një nivel të lartë të mesazheve të urrejtjes, gjë që është e papranueshme. Shpresoj që tentimi i radhës, i Kosovës – për shembull, për anëtarësim në Këshillin e Evropës – të mos hasë në një agresivitet dhe fjalime të tilla të dhunës. Duhet të jetë e qartë, po ashtu edhe për shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, se të qenit e Kosovës pjesë integrale e bashkësisë ndërkombëtare, sjell një bashkëpunim dhe mbrojtje më të madhe, po ashtu edhe për trashëgiminë kulturore dhe religjioze. Tentimi i ardhshëm i Kosovës për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare duhet, megjithatë, ta përfshijë një analizë të thuktë të arsyeve të brendshme të cilat i kontribuuan dështimit. Duhen të nxirren mësime nga fakti që shërbimi diplomatik i Kosovës ka shumë më pak burime (ambasada, ambasadorë, buxhet, etj), sesa ai i Serbisë, për shkak të madhësisë së vendit dhe “moshës” së re të tij. Për këtë shkak, herën tjetër Kosova ka nevojë për një strategji e cila do t’i marrë parasysh të gjitha këto.
Sa i përket asaj se a duhen tentimet e ardhshme për anëtarësim që të diskutohen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, unë nuk e mbështes këtë ide për momentin, për shkak se ka shumë çështje të tjera bilaterale të cilat duhet të implementohen dhe zgjidhen, kështu që dialogu duhet të përqendrohet aty. Përpos kësaj, Kosova është një vend sovran për pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, kështu që Kosova nuk duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes rreth asaj se në cilat organizata duhet të aplikojë Kosova.
Dialogu Kosovë-Serbi…
Një problem në këtë dialog, që nga fillimi i tij, ka qenë fakti se nuk ka pasur ndonjë komunikim dhe interpretim të qartë të rezultateve nga ndërmjetësuesit e BE-së për të dyja vendet. Kam apeluar te përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini që, si për Parlamentin e Evropës, po ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës dhe atë të Serbisë, ta përgatitë një raport të rregullt rreth statusit të implementimit të marrëveshjeve të arritura në dialog. Jam e bindur se kjo do ta bënte procesin më transparent dhe do të ofronte më pak mundësi për interpretime të ndryshme nga Beogradi dhe Prishtina.
Asociacioni i komunave serbe / dhuna në Kosovë
Vendimi i presidentes Jahjaga për ta kërkuar mendimin e Gjykatës kushtetuese rreth parimeve të Asociacionit të komunave serbe, ishte një hap i rëndësishëm për ta tejkaluar qorrsokakun e krijuar në Kuvend. Në të gjitha vendet demokratike, mosmarrëveshjet rreth kushtetutshmërisë së marrëveshjeve dhe ligjeve, trajtohen nga gjykatat kushtetuese. Ato edhe ekzistojnë për një gjë të tillë.
Dhuna nuk i zgjidh problemet kushtetuese. Kam apeluar publikisht te opozita, si dhe gjatë bisedimeve që kam bërë me të, që të heqin dorë nga dhuna, sikur që është përdorimi i gazit lotsjellës. Po ashtu kam kërkuar nga ta që ta përdorin suspendimin e përkohshëm të marrëveshjes, për t’iu rikthyer punës parlamentare. Përpos kësaj, kam qenë edhe kritike ndaj mënyrës sesi deputetët e opozitës janë arrestuar, duke përfshirë edhe mungesën e procedurës transparente nga zyrtarët e Kuvendit në lidhje me heqjen e imunitetit ndaj deputetëve (edhe pse kjo mund të konsiderohet se është në përputhje me provizionet ligjore). Kjo e ka rrezikuar tërë legjitimitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vetëm sa e ka ushqyer zemërimin, në vend të nxitjes së dialogut tepër të nevojshëm midis Qeverisë dhe opozitës rreth psh, propozimit të deputetëve Osmani/Deda, të prezantuar javë më parë si propozim për të dalë nga qorrsokaku.
Në momentin e shkrimit të këtij Editoriali, Gjykata Kushtetuese sapo e ka bërë publik vendimin e saj rreth kërkesës së presidentet Jahjaga të 23 dhjetorit, për ta përdorë këtë moment për ristartimin e dialogut politik, gjë që duhet të bëhet si nga qeveria, po ashtu edhe nga opozita: Akti ligjor dhe statusi i Asociacionit tani duhet të formulohen në një mënyrë që është në përputhje me kushtetutën e Kosovës. As më pak, e as më shumë.
Për mua, ky vendim paraqet dritën në fund të tunelit dhe apeloj te të gjithë që ta përdorin fillimin e vitit të ri, për të mbledhur kurajë dhe për t’iu kthyer metodave paqësore të zgjidhjes së problemeve dhe të bërjes së politikës; zgjidhjet janë në tavolinë. Bëjeni!
Liberalizimi i vizave: mos u dekurajoni nga zhgënjimi
Më duhet ta pranoj se edhe vetë kam mbetur e zhgënjyer për faktin që Komisioni nuk e ka trajtuar Kosovën njësoj si Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Por, ju lutem, mos lejoni që të dekurajoheni! Kosova është më afër se kurrë, për të pasur sukses! Liberalizimi i vizave nuk është një e drejtë, ajo duhet të meritohet. Qeveria ka bërë shumëçka gjatë javëve dhe muajve të fundit dhe unë jam e bindur se, me përpjekje adekuate, Qeveria e Kosovës do të jetë në gjendje që t’i përmbushë ato pak kritere të mbetura brenda javëve të para të vitit të ri. Komisionari Avramopoulos ka premtuar, më ka premtuar edhe mua personalisht, se do ta vizitojë Kosovën sapo të përmbushen këto kushte të mbetura, në fillim të vitit 2016, për ta dhënë dritën jeshile për procesin legjislativ për fillimin e liberalizimit të vizave.
Fajësimi i të tjerëve nuk ndihmon. Sikur që e dini, BE-ja gjendet në një situatë tepër sfiduese, me më shumë se 1 milion njerëz nga vendet e shkatërruara nga lufta në Lindjen e Mesme, të cilët kanë kërkuar strehim në BE përgjatë vitit të kaluar, që nga gushti i vitit 2015, ku pjesa më e madhe prej tyre kanë ardhur nëpër rrugën ballkanike. Fakti që deri para një viti ka pasur me dhjetëra mijëra kosovarë të cilët kanë kërkuar azil, ende ndikon në imazhin e Kosovës në sytë dhe mendjet e qeverive të vendeve të BE-së, sidomos të ministrave të Brendshëm, të cilët në fund, bashkë me Parlamentin Evropian, do të duhet të thonë “po” për legjislacionin e liberalizimit të vizave për Kosovën (thënë shkarazi, e njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën dhe Gjeorgjinë).
Dhe – përsëri apeloj tek opozita: Stop bllokimit të Kuvendit me gaz lotsjellës. Kjo ngjarje ishte në lajmet qendrore në Berlin, në Vjenë, në Amsterdam, në Paris, në Bruksel dhe gjetiu. Dhuna nuk do t’i bindë ministrat e Brendshëm në një kohë të krizës më të madhe të solidaritetit politik dhe rreth refugjatëve, se liberalizimi i vizave për kosovarët është gjë e mirë. Më mirë është që të veproni bashkë dhe të bashkoheni për lobim te ministrat e Brendshëm dhe parlamentarët në kryeqytetet e BE-së – shoh një rol të rëndësishëm për shembull për Komitetin e integrimit evropian të Kuvendi të Kosovës!
Jam tepër e bindur se Parlamenti Evropian do ta mbështesë fuqishëm rrugën e Kosovës për liberalizimin e vizave, sikur që kemi bërë edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, mos u bazoni te frustrimi juaj, por te fjalët e komisionarit Avramopoulos, i cili është i gatshëm që ta vizitojë Kosovën sapo të përmbushen edhe ato pak kushte që kanë mbetur.
Apeloj te të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh a janë të afërt me Qeverinë, apo me partitë opozitare, që ta mbajnë në mend guximin dhe pasionin që e keni pasur gjatë viteve të luftës për pavarësi. Përdoreni këtë guxim dhe këmbëngulësi tani në mënyrë paqësore për ta bërë vendin tuaj më të fortë në procesin e integrimit evropian. Fjalët e Max Weber-it përshtaten shumë me momentin e Kosovës: ‚Vendosmëria e shpirtit mund të ndihmojë edhe në rast se shpresat janë tepër të zbehta. Kjo është e nevojshme tani meqë përndryshe, nuk do të jetë e mundur që të arrihet as ajo që është e mundshme tani’.
Realizimi i të mundshmes është ajo që pritet nga Kosova në vitin e ri. Ju dëshiroj sukses, gëzim dhe lumturi për vitin 2016 – si në aspektin personal, profesional dhe për Kosovën si shtet evropian!
(Ulrike Lunacek është zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën. Ajo kryeson delegacionin e të Gjelbërve të Austrisë në grupin e të Gjelbërve/EFA të Parlamentit Evropian)