Hysni Hoxha jep arsyet e dorëheqjes nga kreu i OShP-së.
Kryetari i deritashëm i Organit Shqyrtues të Prokurimit, OShP, Hysni Hoxha ka dhënë arsyet e dorëheqjes së tij nga posti i shefit të tenderëve në Kosovë.
Në një intervistë për KALLX0.com ai ka thënë se ishte lodhur nga puna aty.
“Unë kam qenë në pritje të vendimit të përzgjedhjes së dy anëtarëve të OShP-së për më shumë se një vit. Dhe kjo nuk ka ndodhur kështu që vitin e kaluar dhe si rezultat i kësaj rreth 50 ankesa kanë mbetur pa shqyrtuar ndërsa brenda këtyre ditëve kanë ardhur edhe disa të tjera të reja”, tha Hoxha.
Ndaj Hoxhës rëndojnë dy aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit zyrtar.
Për njërën nga këto, Jeta në Kosovë kishte realizuar një emision.
Pas kësaj, Prokuroria kishte nisur hetime për tenderin milionësh të KOSTT-it për parregullsitë në këtë institucion publik.
Por Hoxha mohon të ketë dhënë dorëheqje për shkak të akuzave që janë ngritur ndaj tij.
“Dorëheqja nuk ka të bëjë me akuzat ndaj meje. Ato janë të gjepura edhe nuk ka lidhje më këtë. Kjo ka të bëjë më shumë me lodhjen time”, tha Hoxha për KALLXO.com.