Lajmet e fundit

EKSKLUZIVE || Hashim Thaçi deri më 15 janar e merr lajmin e shumë pritur. Ja sa i ka gjasat për president!

Lideri i partisë më të madhe në vend, Hashim Thaçi, dy javët e ardhshme i ka më të rëndësishmet në jetën e tij.
Burime ndërkombëtare i kanë thënë Gazetës Blic, se Hashim Thaçi, deri më 15 janar përfundimisht pritet që ta marrë sinjalin, nëse do të përkrahet apo jo nga ndërkombëtarët për të ardhur në postin e Presidentit.

“15 janari është koha e fundit kur Hashim Thaçit do t’i kumtohet lajmi nëse do ta ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve për të ardhur në krye të shtetit”, ka thënë ky burim. Sipas këtij burimi, Hashim Thaçi nuk i ka gjasat e mira që ta fitojë këtë post.

“Ndërkombëtarët po preferojnë që në krye të shtetit të vijë ndonjë personalitet, i cili nuk i përket asnjë partie politike. Hashim Thaçi ka pak gjasa që të vijë në krye të Presidencës”, ka theksuar ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, gjasat e mëdha i ka Jahjaga, që edhe njëherë të rizgjedhet për presidente të shtetit.

Edhe një burim zyrtar nga Presidenca e Kosovës, i ka thënë Gazetës Blic se Atifete Jahjaga po merr mbështetje ndërkombëtare, e sidomos nga amerikanët që të jetë e para e Republikës së Kosovës, edhe për një mandat.

“Jahjaga po beson se edhe një mandat do të jetë në krye të Presidencës. Ajo po gëzon mbështetjen e amerikanëve”, ka thënë ky person i afërt me Jahjagën.

Në anën tjetër, lideri i PDK-së Hashim Thaçi, në javën e fundit ka pasur një tërheqje të ngadalshme nga ambicia për të qenë president i Kosovës.

Derisa para pak ditësh, tha se nëse ai nuk do të jetë në krye të shtetit, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, ai sot thuajse është tërhequr plotësisht nga kjo garë.

Thaçi sot, ka thënë se ka pasur mundësi të paktën dy herë që të jetë president i shtetit.

“Unë kam pasur mundësi që të zgjidhem 2-3 herë president i Kosovës. Jam njeriu më i votuar në vend. Është një proces krejt i natyrshëm edhe zgjedhja e presidentit. Ai duhet shikuar si proces i natyrshëm. Do të respektohet në tërësi në mes të PDK-së dhe LDK-së. Kemi legjitimitet të plotë dhe jemi mazhorancë e fuqishme me rreth 90 vota. Do të jetë një proces transparent dhe në këtë drejtim nuk shoh asnjë problematik. Ne jetojmë në sistemin demokratik, votimi është i fshehtë. Unë do ta ruaj unitetin politik dhe do t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve të vendit. Do të jem garanc kushtetues dhe ligjor. Ka deputet që nuk i votojnë as njerëzit e partive të vet”, ka thënë Thaçi.

Me marrëveshjen e arritur ndërmjet PDK-së e LDK-së, parashihet që Hashim Thaçi të zgjedhet president i shtetit, derisa Isa Mustafa kryeministër. Mirëpo, një pjesë e deputetëve të LDK-së tashmë kanë paralajmëruar mosvotimin e tij për këtë pozitë.

Deri më tash publikisht që kanë paralajmëruar votën kundër Thaçit janë: Vjosa Osmani, Adem Salihaj, Alma Lama, Armend Zemaj, Anton Quni dhe Arben Gashi.

Por, lideri i LDK-së dhe njëherësh kryeministri i vendit, i ka dhënë garanci Hashim Thaçit se do ta bëjë president të vendit.

Mirëpo, burime nga PDK-ja i kanë thënë Gazetës Blic, se nëse nuk do të ketë pengesa nga ndërkombëtarët, atëherë Hashim Thaçi ka gjasa që në raundin e tretë t’i marrë 61 vota, të mjaftueshme sa të vijë në krye të shtetit./Gazeta Blic/

Leave a Reply

Your email address will not be published.