Ëndrra e Hashim Thaçit për t’u zgjedhur president duket se do të marrë fund së shpejti. Nuk do të jenë vetëm një pjesë e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që do të votojnë kundër, por janë edhe deputetët e Listës Serbe që nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për president të Kosovës.
Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brendas mbledhjes së sotme të Këshillit Drejtues të PDK-së.
Sipas këtyre burimeve, Lista Serbe po e kushtëzon votimin e Hashim Thaçit me marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe dhe me zbatimin e plotë të marrëveshjeve.
“Në anën tjetër, Isa Mustafa nuk po mund t’ia garantoj Hashim Thaçit të gjitha votat e partisë së tij”, ka thënë ky burim brenda PDK-së.
Gjithnjë sipas këtij burimi, mund të ndodhë që Hashim Thaçi të tërhiqet në momentin e fundit, dhe për kryetar të Kosovës të jetë një kandidat konsensual.
“Parimisht Hashim Thaçi është kandidat për president, mirëpo ai mund të tërhiqet në çdo moment, nëse për këtë nuk do të bindet Lista Serbe”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic brenda mbledhjes së KD-së së PDK-së.
Sipas këtij burimi, edhe nëse Hashim Thaçi do t’i kishte të sigurta votat e LDK-së, Lista Serbe mund të mos marrë fare pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit, çka do të bënte të pamundur kuorumin prej 2/3 prezent në sallë, pas rregullit që ishte vendosur nga Gjykata Kushtetuese për rastin Pacolli.
Hashim Thaçi kohëve të fundit kishte pasur një tërheqje nga deklaratat e tij se me çdo kusht dëshiron të jetë president i Kosovës. Ai ndër të tjera kishte theksuar se kontributi i tij do të jetë në secilin pozicion në të cilin do të gjindet.
Mirëpo, njerëz të partisë së tij, kanë theksuar se nëse Hashim Thaçi nuk do të zgjedhet në krye të shtetit, ashtu siç e parasheh marrëveshja me LDK-në, atëherë vendi do të shkoj në zgjedhje të reja.
Ishin dy nënkryetarët e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe Adem Grabovci ata të cilët kishin paralajmëruar zgjedhje të reja, nëse Thaçi s’do ta marrë postin e shumë dëshiruar.
Gazeta Blic para disa ditësh ka raportuar se gjasat edhe për një mandat në krye të vendit i ka, Atifete Jahjaga, e cila e ka mbështetjen e fuqishme të ndërkombëtarëve.
Në anën tjetër, marrëveshja e cila po kërkohet të jetësohet Lista Serbe, ajo për Asociacionin e Komunave Serbe, u shpall jokushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese, çka bëri që opozita të thërras një protestë gjithëpopullore, në kërkim të largimit të kësaj qeverie.
Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit bëhet përmes tre raundeve. Nëse në raundin e parë nuk i merr 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, atëherë shkohet në një raund të dytë, ku sërish kërkohet 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, raporton gazeta Blic. Dhe nëse as në raundin e dytë ai nuk i merr 81 vota, atëherë shkohet në një raund të tretë, ku kandidati duhet t’i marrë 50 + 1 për qind të votave, apo 61 vota. Nëse as në raundin e tretë nuk e merr këtë shumicë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.