Lajmet e fundit

Eksperti i sigurisë: Shqipëria pre e lehtë e terrorizmit, masa zero për parandalimin e sulmeve

Masat e Shqipërisë për të parandaluar apo përballuar sulme terroriste si ai në Francë, janë pothuajse inekzistente. Ndonëse me dhjetëra shqiptarë janë bërë pjesë e Shtetit Islamik dhe ka pasur disa kërcënime për sulme ndaj vendit tonë, sipas ekspertëve, sërish masat janë minimale.

 I pyetur nga gazeta “SOT”, Arjan Dyrmishi, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë, pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ka deklaruar se xhihadistët e Shteti Islamik e kanë shumë të lehtë të kryejnë sulme në vendin tonë, por tha gjithashtu se ata nuk kanë asnjë interes të kryejnë akte të tilla në Shqipëri. Dyrmishi u shpreh se përveç masave të ulta parandaluese, nuk ka dhe kapacitete për të përballuar një rast sulmi ku mund të ketë viktima dhe të plagosur. “Ne jemi objektiv i butë, ata mund të bëjnë çfarë të duan. Sa i përket masave tona, nuk ka asnjë plan. Mund të jap shembullin e spitaleve. Vende të tjera kur ndodh një gjë e tillë kanë një plan që i transformojnë spitalet në spitale me kapacitet lufte. Nëse ndodh një kasaphanë e tillë këtu, me qindra të plagosur, a mund të merren masa të tilla? Nuk ka asnjë masë sistemi shëndetësor që të shndërrohet në kapacitete të tilla. Pra rreziku si teori është, praktik nuk është sepse nuk kanë leverdi. Masat tona janë pothuajse inekzistente”, deklaroi Dyrmishi.

I pyetur mbi kërcënimin që ju bë dje ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nga përfaqësues të ekstremistëve, ai deklaroi se të tilla kërcënime janë boshe dhe pa rrezik, pasi në vende të ndryshme të Evropës sulmet terroriste janë bërë pa paralajmërime. Dyrmishi tha se kërcënime të tilla ka pasur për shumë liderë botërorë, por që ata nuk janë ndjerë të rrezikuar. Rreziku për Shqipërinë Eksperti i çështjeve të sigurisë, pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Arjan Dyrmishi, ka deklaruar dje për gazetën se nuk ka asnjë kërcënim real terrorist për Shqipërinë.

Eksperti u shpreh se xhihadistët e ISIS synojnë të godasin në shtete të mëdha me qëllim rritjen e famës së tyre, ndërsa në Shqipëri nuk e arrijnë dot këtë gjë. Megjithatë ai u shpreh se nga ana teorike, si çdo vend tjetër në Evropë dhe më gjerë edhe Shqipëria mund të jetë e kërcënuar, por nga ana praktike një gjë e tillë është e largët. “Si shumë vende të tjera edhe Shqipëria mund të quhet e rrezikuar. Por ata kur i kryejnë të tilla veprime, i bëjnë për t’u dukur. Nëse sulmohet Shqipëria nuk përbën ndonjë impakt të madh. Ata të gjitha këto veprime i bëjnë për qëllime politike, i bëjnë për qëllime që t’i rrisin pjacën vetes dhe të inspirojnë rekrutimet. Që ata që janë kandidatë të thonë shiko sa të zotët janë këta. Në këtë aspekt, ne nuk kërcënohemi për këto rrethana. Nga ana praktike, Shqipëri nuk përbën leverdi për ta”, u shpreh Dyrmishi.

I pyetur dhe për masat që mund të ndërmarrë Shërbimi Informativ, ai deklaroi se pavarësisht rolit të tij, depërtimi i ekstremistëve në Shqipëri është i lehtë. Pas sulmit të së premtes në Paris ku u vranë rreth 130 persona, pjesëtarët e ISIS kanë kërcënuar se do të ketë sulme të ngjashme dhe në vende të tjera të Evropës. Pak kohë më parë, përmes një video mesazhi, disa xhihadistë shqiptarë që luftojnë në Siri, deklaruan se pjesë e sulmeve mund të jetë edhe Shqipëria. Ndërkohë dje strukturat e shtetit nisën përgatitjet për marrjen e masave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.