El Ninjo më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë deri më tani ka shumë gjasa ta shtojë ndjeshëm kërcënimin e urisë dhe sëmundjeve për miliona njerëz në 2016-tën.
Agjencitë e ndihmës nuk e fshehin frikën e tyre se ngrohja periodike e ujrave të Paqësorit, një fenomen që ndodh çdo 3 deri 5 vjet, do të ashpërsojë këtë herë ndjeshëm thatësirat në disa pjesë të planetit, ndërsa do të shtojë përmbytjet në pjesë të tjera.
Zonat më të prekura pritet të jenë në Afrikë ku rrudhja e rezervave ushqimore llogaritet të mbërrijë pikun e saj në muajin shkurt. Të tjera rajone që përgjatë 6 muajve në vazhdim do të ndiejnë më shumë se të tjerët pasojat e ciklit klimatik, përfshijnë Karaibet, dhe Ameriken Qendrore e atë jugore.
Fenomeni periodik që ndikon në ngritjen e temperaturave globale e trazon modelet metereologjike, ka ndihmuar të kalohet 2015-ta në regjistrat e rekordeve si viti më i ngrohtë i globit.
El Nino karakterizohet nga temperatura mjaft të ngrohta në sipërfaqen e pjesës qëndrore dhe lindore të oqeanit Paqësor, çka ndikon përgjithësisht mbi kushtet e motit në mbarë botën.
I fundit ishte ai i vitit 2009-2010, i cili u shpall atëherë si viti më i nxehtë nga të gjithë të regjistruarit. Por shkencëtarët tani mendojnë se ky i sivjetshmi do të jetë edhe më i fuqishëm; çdo gjë varet nga mënyra e matjes, thotë për BBC-në doktor Nick Klingaman i Universitetit të Reading.
Sipas agjencive të ndihmës, aktualisht rreth 31 milionë persona në Afrikë përballen me pasigurinë e ushqimit, çka përbën një rritje të qënësishme krahasuar me vitin që shkoi. Rreth një e treta e këtyre njerëzve jetojnë në Etiopi, ku 10.2 million vetë besohet se do të kenë nevoje për asistencë humanitare gjatë 2016-tës. (TCH)