Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Smajl Elezaj, me anë të një komunikate sot ka propozuar formimin e një trupi mbipartiak në nivel kombëtar që do të gjente zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët e involvuara në bllokadën e Kuvendit të Kosovës.
“Duke parë bllokadën e punës së institucionit më të lartë në vend, Kuvendit të Kosovës;
– Duke mos paragjykuar asnjërën nga palët;
– Duke konsideruar se edhe pozita edhe opozita, dëshirojnë vetëm të mirën për Kosovën dhe interesat e qytetarëve të saj;
– Duke besuar fuqishëm në vullnetin e faktorit politik për gjetjen e zgjidhjes që do të zhbllokonte jetën normale të institucioneve;
PROPOZOJ
– tubimin e Tryezës mbipartiake, me përfaqësues nga pozita e opozita, shoqërisë civile (ku ne si Organizatë do të jepnim kontributin tonë) dhe nën mbikëqyrjen e Ambasadës Amerikane.
– Tryeza, do të bënte takime të vazhdueshme, në mënyrë që në afat prej dy javësh të arrij në zgjidhjen që do të jetë e kënaqshme dhe e zbatueshme nga të gjitha palët.
Duke dëshiruar, që të jemi bashkë, të kemi shtet të fortë dhe institucione stabile, ne besojmë që kjo iniciativë e jona, do të has në përkrahjen e të gjithë atyre që e donë të mirën për qytetarët dhe shtetin tonë”, shkruan në komuniaktën e tij u.d. kryetari i OVL të UÇK-së Smajl Elezaj.