Lajmet e fundit
Emigrantët largohen me autobus nga Hungaria, shenjat e mikëpritjes i dha Austria

Emigrantët largohen me autobus nga Hungaria, shenjat e mikëpritjes i dha Austria

Emigrantët po mbërrijnë në Austri pas vendimit të papritur të Hungarisë që u ka vënë në dispozicion autobusa drejt kufirit. Për ditë me radhë Hungaria bllokoi emigrantët të udhëtonin me tren drejt Europës Perëndimore, duke thënë se e ka për detyrë ti regjistrojë ata, duke shkaktuar edhe zemërata.

Austria bëri të ditur se bashkë me Gjermaninë kanë rënë dakord të hapin kufijtë. Ky hap vjen teksa BE po përpiqet të bjerë dakord me një marrëveshje për të menaxhuar situatën e paprecedentë të fluksit të emigrantëve.

Autobusët mbërritën në stacionin e Keletit, në qendër të Budapestit në orët e vona të së premtes, ku ndodhet një kamp i improvizuar për emigrantët. Mjete të tjera janë dërguar gjithashtu për të mbledhur qindra refugjatë të tjerë që u larguan nga kampi për të shkuar në këmbë përgjatë rrugës kryesore për në Austri.

Gazetari i BBC-së raporton se në momentin që autobusët mbërritën, disa prej emigrantëve u kanë rrëfyer zyrtarëve se kishin frikë se mos arrestoheshin në vend që të dërgoheshin drejt Gjermanisë. Por më vonë grupe të vogla nisën të kalojnë kufirin, ku Austria dha shenjat e mikëpritjes.

Kryqi i Kuq kishte krijuar një qendër të improvizuar në kufi, ku priti emigrantët me batanije dhe çaj. Policia austriake bën të ditur se rreth 3 mijë emigrantë pritet të vijnë gjatë të shtunës. Refugjatët rrëfejnë shijen e “hidhur” të mbetur nga Hungaria, ku shpresojnë të mos kthehen më kurrë. Qeveria hungareze nga ana e saj tha se kishte dërguar autobusë për të shmangur “paralizën” e rrjetit të transportit të vendit.

Por pavarësisht se Austria dhe Gjermania vendosën të hapin kufijtë, për shkak të gjendjes së krijuar në Hungari, kancelari austriak, Werner Faymann, tha se Hungaria duhet të respektojë kuotat e BE-së për azilkërkuesit, të cilën Hungaria, bashkë me Çekinë, Poloninë dhe Sllovakinë e kanë refuzuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.