Emisari gjerman për Ballkanin, Ernst Reichel do të vizitojë nesër Kosovën. Ai fillimisht do të takohet me Kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli. Zyrtari gjerman kishte kritikuar veprimet e opozitës në Kuvendin e Kosovës duke pyetur V V, AAK e NISMA se pas gazit çfarë armësh do të përdorin në Parlament.
Zyra e Kryetarit të Kuvendit kishte njoftuar se Veseli e pret nesër në takim gjermanin Ernst Reichel, njofton zyra e këtij të parit.
“Nesër, me datë 12.10.2015, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, pret në takim të dërguarin e posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Ernst Reichel. Takimi fillon në orën 10: 45”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Reichel kishte komentuar veprimet e opozitës në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se në demokraci politikat ndryshohet vetëm duke i bindur votuesit dhe duke i fituar zgjedhjet e radhës.
Ai kishte pyetur opozitën se çfarë armësh do të përdorin pas gazit lotsjellës.
Reichel poashtu kishte pyetur opozitën se me çfarë të drejte mendojnë se mund t’ia imponojnë vullnetin e tyre një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike e cila përfaqëson shumicën e votuesve.
“Opozita nuk pajtohet me Qeverinë, si zakonisht. Por në sisteme demokratike, ndërrimi i politikave nënkupton t’i bindësh votuesit dhe t’i fitosh zgjedhjet e ardhshme. Nëse tani opozita ka sulmuar me gaz lotsjellës, çfarë forme të dhunës do të përdorin më pas? Me çfarë justifikimi beson opozita që mund t’ia imponojë vullnetin e saj një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike që përfaqëson shumicën e votuesve?”, ka shkruar Reichel në Facebook.