Nuk dihet se kur Gjykata Supreme do të marrë vendim për ankesën e avokatit mbrojtës të Donika Kadaj-Bujupi, Arianit Koci. Deputetja vazhdon të jetë në paraburgim prej 30 ditësh.
Tribuna Channel ka kontaktuar me zyrën për informim të Gjykatës Supreme, e po ashtu edhe me zyrën e kryetarit, por nuk ka marrë përgjigje rreth kësaj çështjeje.
Se kur Supremja mund të marrë vendim nuk e di as avokati Arianit Koci. Kjo sipas tij, varet nga rastet që i ka në shqyrtim kjo gjykatë.
Donika Kadaj-Bujupi dyshohet, për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375 lidhur me nenin 31 të Kodit të Procedurës Penale.
Vendimin e saj Gjykata e bazon edhe në atë se ekziston rreziku se po te gjendet e pandehura në liri do ta përsërisë veprën penale.
Deputetja e AAK-së është arrestuar më 18 nëntor në shtëpinë e saj. Prokuroria themelore kishte lëshuar flet arrest për të dhe tre deputet të tjerë të opozitës me arsyetim se me hedhjen e gazit lot sjellës kanë kryer vepër penale.
Edhe kolegu i saj Albin Kurti është arrestuar më 28 nëntor dhe është duke mbajtur masën e paraburgimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës. Edhe për të avokatja mbrojtëse ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.
Të arrestuar kanë qenë edhe deputetët Ismajl Kurteshi e Haxhi Shala, mirëpo atyre u është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak prej një muajsh.
Ndryshe prej tyre, deputetit Fisnik Ismaili i është caktuar masa e burgut shtëpiak për 30 ditë.
Kurse Albulena Haxhiu e Faton Topalli nuk i janë përgjigjur ftesë së Prokurorisë dhe nuk e kanë ndër mend ta bëjnë një gjë të tillë.