Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar një proces normalizimi e pajtimi.
Këto komente, Hoxhaj i bëri gjatë një takimi të organizuar nga koalicioni KOMRA në Prishtinë ku potencoi se dialogu duhet t’i shërbej pajtimit vetëm nëse ka cak, qartësi e që për ne është njohja e pavarësisë.
“Dialogu duhet t’i shërbej pajtimit vetëm nëse ka cak, qartësi e që për ne është njohja e pavarësisë. Pra pa plotësimin e këtij parakushti, vështirë të ketë pajtim mes dy popujve”, potencoi Hoxhaj.
Ish-ministri i Jashtëm, Hoxhaj, tha më tej se pos dialogut politik e teknik, duhet të ndodhë edhe një dialog i tretë – ai shoqëror – pra në nivel të shkëmbimeve ndërmjet mediave, studentëve, komunave, odave ekonomike, etj.
“Fatkeqësisht rajoni është në një status quo dhe Serbia nuk duhet të vazhdoj t’i sheh serbët jashtë kufijve të saj si zgjatje dhe instrumente për t’i keqpërdorur”, u shpreh Hoxhaj.