“Tradhëti kombëtare e nxitur nga zyrtarët e Rusisë”, Kështu e ka cilësuar Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, kërkesën e liderit të Partisë Demokratike të Popullit, Selahatin Demirtas, i cili pak ditë më parë kërkoi që minoriteti kurd në Turqi të ketë një shtet federal autonom. Lideri i Ankarasë shkoi edhe më tej, duke thënë se pretendimet e kësaj force politike janë një provokim i qartë, që cënojnë sovranitetin e shtetit të tij.
“Përfaqësuesit e Kremlinit i pëshpëritën disa fjalë në vesh Liderit të Partisë Demokratike të popullit gjatë vizitës së tij në Rusi, ndaj ai po kërkon gjëra të pakuptimta. Ky është një provokim i qartë dhe një tradhëti kombëtare. Të gjithë ata që do të kërkojnë të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale mbi Turqinë, do të marrin përgjigjen e merituar.”
Ndërkohë, situata vijon të mbetet e tensionuar në juglindje të Turqisë teksa forcat policore kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra protestues kurdë. Këta të fundit kanë demonstruar kundër operacioneve të sigurisë dhe shtetrrethimit disa javor në zonën me shumicë kurde.
Që pas hyrjes së ushtrisë, në zonë ka pasur përplasje të ashpra mes palëve, ku sipas autoriteteve turke 200 militatë janë vrarë deri tani. Që pas prishjes së armëpushimit mes qeverisë dhe partisë së punëtorëve të Kurdistanit, Ankaraja ka nisur shtetërrethimin në disa prej qyteteve me shumicë kurde.
Operacionet e fundit të sigurisë, me 10.000 policë, tanke e autoblinda, kanë qenë më të mëdhatë që nga fundi i armëpushimit.