Lajmet e fundit

Erdogan: Së bashku kundër terrorizmit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e dënoi fuqimisht bombardimin e dyfishtë, duke thënë se qëllimi i atentatit ishte prishja e unitetit dhe paqes së Turqisë.

“Pa marrë parasysh se cila është origjina e sulmit, qëllimi  apo emri, ne jemi kundër çdo forme të aktit terrorist apo organizatë terroriste. Ne jemi kundër tij së bashku. Solidariteti dhe vendosmëria jonë do të jenë përgjigjet më të mira ndaj akteve terroriste. Ne duhet të jemi kundër dhe jo në anën e tyre”, tha Erdogan.

Kryeministri i vendit, Ahmet Davutoglu mbajti një mbledhje emergjente qeverie për të caktuar masa të menjëhershme sigurie mbi tragjedinë. Ndërsa, lideri i Partisë Demokratike Popullore pro-kurde, Selahattin Demirtas tha se sulmet e të shtunës janë të ngjashëm me dy të fundit që kanë ndodhur më herët në Diarbakir dhe Suruç.  Më 5 qershor, dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, katër vetë vdiqën në një sulm të dyfishtë me bombë. “Ne jemi dëshmitarë të një masakre, të një akti barbar” u shpreh Dermitash.

Po ashtu Ambasada Amerikane në Ankara i dënoi shpërthimet në kryeqytetin turk duke thënë se të gjithë ne duhet të jemi të bashkuar përballë terrorizmit. Me këtë ngjarje të rende, kanë treguar solidaritet edhe shumë liderë të tjerë botërore të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre nëpërmjet mesazheve drejtuar krerëve të Turqisë.

Edhe pse kundër në fushatën e Sirisë, lideri i Kremlinit ngushëlloi homologun e tij Erdogan për sulmin e Ankarasë. Me anë të një letre, Vladimir Putin ka shprehur solidaritet me popullin turk.

Vendi ka qenë në një gjendje alarmi që me nisjen e  “luftës kundër terrorizmit” në korrik, duke përfshirë sulmet ajrore kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri dhe bazave te PKK në Irakun Verior. Po ashtu, Qeveria e Ankarase ka patur informacion se qindra militantë strehoheshin në Turqi , duke ndjellë frikën e sulmeve të mundshme terroriste. (tch)

Leave a Reply

Your email address will not be published.