Lajmet e fundit

EULEX–i shqetësohet për numrin e vdekjeve nga aksidentet

Misioni i EULEX-it në Kosovë përmes një tryeze të organizuar diskutoi për numrin e madh të aksidenteve në vend.

Sipas Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit në mungesë të sigurisë në komunikacion ka pasur më shumë se 150 aksidente me vdekje, shifër kjo e lartë krahasuar me numrin e popullsisë së Kosovës.

Në tryezë u tha se institucionet e Kosovës humbin miliona euro çdo vit, si rezultat i zbatimit joefektiv të gjobave dhe se një sistem efektiv i gjobitjes i parandalon shkeljet në komunikacion.

Martin Cunningham, zëvendësshefi i sektorit për fuqizim në EULEX tregoi qëllimin e punëtorisë.

“Qëllimi kryesor i punëtorisë është të vendosë bazën për një qasje më gjithëpërfshirëse për sigurinë në komunikacion, përmes tri temave: arsimimi mjedisor/në inxhinieri dhe përfundimisht edhe zbatimi nga të cilat fokusi vihet në pagesën e gjobave,” tha Martin Cunningham.

Ndërsa për rritjen e efikasitetit të gjobave foli edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Naim Rexha.

Sipas Rexhës për ta krijuar një sistem të ri nevojitet bashkëpunimi efektiv ndërmjet institucioneve të ndryshme të Kosovës.

Rexha po ashtu nënvizoi nevojën për njohuri më të madhe lidhur me rregullat e komunikacionit dhe sigurinë në mesin e qytetarëve dhe për përmirësimin e legjislacionit lidhur me shkeljet në komunikacion.

Në tryezë të rrumbullakët morën pjesë, përfaqësuesit e qeverisë dhe policët vendas, prokurorët dhe gjyqtarët nga të gjitha rajonet e Kosovës në mënyrë që së bashku të paraqesin rekomandime dhe të japin zgjidhje për përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Sipas shënimeve të policisë, vetëm për dhjetë muajt e parë të këtij viti nëpër aksidente në Kosovë e kanë humbur jetën 106 persona, ndërsa shkak kryesor i tyre është tejkalimi i shpejtësisë. /kallxo.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.