Prezenca e misionit evropian EULEX do të vazhdojë në Kosovë së paku edhe për dy vjet, shkruan sot Koha Ditore.
Nga burime të ndryshme gazeta merr vesh se negociatat e nisura mes Qeverisë së Kosovës dhe BE-së janë duke shkuar në atë drejtim që EULEX-it t’i vazhdohet mandati i njëjtë, i cili konsiston në katër objektiva operacionale.
“Nuk ka pajtim të vazhdohet ndryshe përveç kështu siç është, pra me kompetenca të njëjta”, ka thënë burimi.
Prezenca e EULEX-it është konsideruar e nevojshme edhe për shkak të Gjykatës Speciale, e cila nuk do të mund të funksionalizohet deri në fund të këtij viti.
Nga Zyra e BE-së në Prishtinë kanë konfirmuar nisjen e negociatave me Qeverinë e Kosovës për të ardhmen e EULEX-it.