Lajmet e fundit

Euro 2016, Franca kërkon Shqipërinë në grup… për t’u hakmarrë

Humbja e 13 Qershorit përballë Shqipërisë nuk është harruar. Te Franca vazhdon të djegë disfata përballë kuqezinjve në “Elbasan Arena”, me supergolin e Ergys Kaçes nga goditje dënimi. Tashmë “Gjelat” organizatorë të Europianit 2016 kërkojnë të hakmerren. Dhe këtë synojnë ta bëjnë pikërisht në shtëpinë e tyre gjatë evenimentit më të rëndësishëm kontinental.

Gazeta më e madhe franceze “France Football” i kushtoi vëmendje kualifikimit të përfaqësueses kuqezi, duke renditur edhe tre arsyet përse skuadra e Didier Deschamps shpreson të përballet në grupe me ekipin e drejtuar nga Gianni De Biasi. Sipas të përditshmes, do të ishte mjaft interesante që organizatorët e Euro 2016 të përballeshin me vendin më të vogël pjesëmarrës dhe që kualifikohet për herë të parë në histori në një turne madhor. Kjo dëshirë lidhet edhe me një fakt historik. Në Botërorin 1998 Franca luajti kundër debutuesve të Afrikës së Jugut dhe në fund arritën ta fitonin trofeun.

Tjetër arsye është aktivizimi i dy shqiptarëve në Ligue 1 franceze. Kapiteni kuqezi Lorik Cana dhe Ermir Lenjani janë pjesë e Nantes në elitën e futbollit, një qytet fatsjellës për “blutë”. Arsyeja e tretë e dhënë nga “France Football” është se nga të gjitha skuadrat e Grupi “I” kualifikues, Shqipëria i mori më tepër pikë të besuarve të Deschamps. Një barazim në Nëntor 2014 në sfidën e luajtur në Rennes dhe fitore në Elbasan. Rezultate të cilat përballë “Gjelave” nuk i morën portugezët, danezët apo serbët dhe për të cilat Franca kërkon revansh në Kampionatin Europian. Sipas gazetës prestigjoze “ai do të ishte vendi më i mirë për t’u hakmarrë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.