Lajmet e fundit
Europa kërkon Jugosllavinë e Tretë

Europa kërkon Jugosllavinë e Tretë

Shkruan: Abdi BALETA

Dy dekadat e fundit mbi hartën e Ballkanit janë hequr disa vija ndarëse vertikale, horizontale e zig-zake. Në mesin e viteve 1990 lindi “nisma Uilliam Perri” (Sekretari Amerikan i Mbrojtjes) për një “bashkëpunim ushtarak në Ballkanin Jugor”, që Kosovën e trajtonte si pjesë e “Ballkanit Verior”. Më pas lindi nisma amerikane e “Kartës së Adriatikut” që të përgatiteshin Shqipëria, Kroacia dhe FYROM-i për të hyrë në NATO.

Bashkimi kombëtar është çështja jetike madhore dhe parësore e shqiptarëve, sepse vetëm kështu mund të ruhet e të forcohet identiteti shqiptar. Kur u hodh parulla “Ballkani i ballkanasve”, nga mezi i shekullit XIX, mohohej identiteti kombëtar i shqiptarëve. Propaganda serbo-sllave i ka cilësuar shpesh shqiptarët e Kosovës si serbë që ndërruan fenë e gjuhën. Në Greqi edhe sot dëgjohen zëra se “nuk ekziston komb shqiptar, se shqiptarët janë helenë që kanë humbur rrugën në histori”. Kështu, shqiptarëve iu mohua e drejta të kenë shtetin e tyre të përbashkët në Ballkan dhe kështu të kërcënohet individualiteti i tyre kombëtar, kulturor e gjuhësor.

Prandaj, nuk është zgjidhur ende çështja shqiptare. Prej një çerekshekulli na thuhet se “çështja shqiptare do të zgjidhet me integrimin europian. “SHQIPTARËT DO TË BASHKOHEN NË BRUKSEL”. Tani na nxjerrin avazin tjetër, të një “Unioni Ballkanoperëndimor” që “SHQIPTARËT TË BASHKOHEN SË PARI NË BEOGRAD”. Për kotësinë e këtyre “tezave” është shkruar edhe më parë në gazetën “Rimëkëmbja”. (Hysamedin Feraj “Projekte kundër bashkimit kombëtar”, 2.11.’99, “Pse integrimi europian nuk e zgjidh çështjen shqiptare”, 9.12.’00; A. Baleta “Ballkania e Demaçit mohon Shqipërinë Etnike të Lidhjes së Prizrenit”, 15.5.’96, “Shqiptarosllavia karikaturale e Skënder Shkupit” 4.5.’99, “Europa e re copëton Shqipërinë”, 9.11.’99 etj.).

“Unioni Ballkanoperëndimor” përvijohet si amalgamë mbishtetërore ndërmjet Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, FYROM-it dhe Shqipërisë, me Kosovën, si shtojcë, si “shtet fusnotë”, nën hijen e Rezolutës 1244, pra si “rajon i veçantë”, siç e quan Ivica Daçiqi. Kjo do të ishte një kthim tek gjendja e rrezikshme viteve e 1945-48, kur viset shqiptare u bënë mballoma territoriale për republikat jugosllave, ndërsa Shqipërisë i caktohej fati i republikës të shtatë të Jugosllavisë. Prandaj, duhej lëshuar alarm kombëtar, kur më 23 shtator 2013 në “Gazeta Shqiptare” u botua vëzhgimi diplomatik i Shaban Muratit “Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptarë”, që zbulonte faktin skandaloz të përfshirjes diplomatike të Shqipërisë e të Kosovës në bisedime të fshehta për krijimin e “Unionit… ”, vetëm disa muaj pasi shqiptarët kishin festuar 100-vjetorin e pavarësisë kombëtare dhe 5-vjetorin e njohjes së shtetit të Kosovës.

Propozimin për këtë “Union…” e kishte paraqitur rrëmujshëm ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Luksiq, në Ohër me rastin e takimit të dështuar të samitit të Europës Juglindore, më 1 qershor 2013. Atëherë u tha se ky takim dështoi ngaqë kryetari i shtetit organizator, FYROM-it, nën trysninë e Serbisë, nuk e kishte ftuar Presidenten e Kosovës. Duhet besuar se ftesa nuk ishte dërguar edhe me qëllimin që Kosova të lihej jashtë rrethit të themeluesve “të barabartë” të “Unionit…”, siç u lanë shqiptarët jashtë mbledhjes së AVNOJ-it në Jajce më 1944. “Nisma Luksiq” nuk mund të jetë vepër e mendjeve diplomatike malazeze. Mali i Zi bën vetëm rolin e tellallit të Serbisë, Rusisë dhe të përkrahësve të politikës së Beogradit në Perëndim.

Ndarja e parë e Ballkanit në Perëndimor e Lindor njihet si “Vija e Teodosit”, që u hoq në vitin 395 të erës së re ndërmjet Perandorisë Romake të Perëndimit dhe asaj të Lindjes (Bizantit). Në “Unionin Ballkanoperëndimor” të vitit 2013 planifikohen të përfshihen territore që atëherë mbetën nën Perandorinë Bizantine. Sipas “Vijës së Teodosit” u bë edhe ndarja ndërmjet krishterimit katolik dhe krishterimit ortodoks pas vitit 1054. Në të dyja rastet hapësirat e sotme shqiptare mbetën në anën lindore të kësaj vije. Pas “Nismës Luksiq” e vlen të rilexohet më me vëmendje libri i Aurel Plasarit “Vija e Teodosit rishfaqet. Nga do t’ia mbajnë shqiptarët?”(1996). Shqiptarëve po u thonë: nuk keni nga t’ia mbani më, do të shkoni atje ku e vendosim ne. Është paradoksale që “Vija e Teodosit” të perceptohet si kufiri perëndimor i “Unionit Ballkanoperëndimor”, kur dihet se pjesa e mirëfilltë perëndimore, Sllovenia e Kroacia janë tashmë jashtë Ballkanit, në Europë, siç janë dhe Rumania e Bullgaria në Lindje dhe Greqia.

Në shekullin XIX nacionalizmat agresivë ortodoksë serb e grek krijuan dilemën: çfarë do të bëhej me shqiptarët, të cilët me sllavët e grekët nuk i lidhte gjaku, gjuha, madje i ndante shumë edhe feja?! “Zgjidhjen” e dhanë “Naçertania” (Projekti) serbe dhe “Megaliidea” greke, duke mohuar ekzistencën e çështjes kombëtare shqiptare. “Naçertania” nuk ishte vetëm prodhim i mendjeve politike serbe. Një princ polak, Adam Çartoriskij, ish-ministër i Jashtëm i Rusisë në vitet 1803-1806, mendonte që një federatë ballkanike nën patronazhin e Rusisë do ta zëvendësonte Perandorinë Osmane në Ballkan. Ai përpiloi dokumentin “Këshilla si të veprojë Serbia” që të bëhej qendra e pansllavizmit në këtë rajon. Bashkëpunëtori i tij i ngushtë, çeku Franjo Zah, shkoi në Beograd dhe përgatiti “Planin” për sendërtimin e jugosllavizmit. Mbi këtë bazë politikani serb Garashanin në vitin 1844 përpiloi “Naçertanien”, veçse jo si platformë të jugosllavizmit, por si platformë për “Serbinë e Madhe”, sepse ai i trembej mundësisë së ndarjes së Ballkanit në zotërime ruse e austro-hungareze, sipas një vije të drejtë Vidin-Selanik. (Petar Shimuniq “Naçertanie”, 1944).

 

Politika serbomadhe me jugosllavizmin maskoi sendërtimin e “Naçertanies” kur u krijuan Jugosllavia I dhe II. Në rastin e krijimit të “Unionit…” Beogradi nuk e sheh më të nevojshme ta përdorë maskën e jugosllavizmit. Thelbi i 20 pikave të tekstit të marrëveshjes mbi “Unionin…” është faktikisht krijimi i një “Serbie të Madhe”, sipas imazhit të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit, mitologjisë se “Serbisë qiellore” të Princ Llazarit dhe projektit të Garashaninit. Një Serbi e tillë përfytyrohet më e centralizuar se ish-federata jugosllave, me qendër në Beograd, që do të jetë selia e parlamentit me 60 anëtarë (pika 1). Në pikat e tjera parashikohet: politikë ekonomike e përbashkët, ruajtje e përbashkët e tregut rajonal, luftë e përbashkët kundër korrupsionit, jurisprudencë e përbashkët dhe deri polici e përbashkët, njësoj si në ujditë për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Projekte të tilla nuk i shtyjnë vendet pjesëmarrëse në “Union…” drejt integrimit më të shpejtë në Europë, por i fusin në një zonë të ngushtë të mbyllur, më larg nga Europa.

Prandaj, pas alarmit që u dëgjua më 23 shtator 2013 në Tiranë, duhej të ishte ngritur në këmbë i madh dhe i vogël, që shqetësohet për identitetin e dinjitetin kombëtar shqiptar, për interesat kombëtare e shtetërore shqiptare. Këtë duhej ta bënin në radhë të parë ata që qëndrojnë në vendet nga ku drejtohen punët e shtetit dhe fatet e kombit. Por qëndrimet e (ish)pushtetarëve, të partive, të politikanëve të Shqipërisë qenë tejet zhgënjyese. Diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës ishin bërë bashkëfajtore në diskutimet rreth “Nismës Luksiq” – në vend që ta hidhnin poshtë menjëherë me indinjatë si tentativë për pengmarrje serbomadhe të pavarësisë shqiptare. Ish-kryeministri i Shqipërisë, Berisha, nuk dha shpjegim pse diplomacia e tij e mbajti fshehur “Nismën Luksiq”, ndonëse shtypi shkroi për “tradhtinë e fundit të Sali Berishës që firmosi në fshehtësi traktatin për krijimin e Jugosllavisë së re me Shqipërinë si republikë e gjashtë” (“Sot”, 27 tetor 2013). Ish-ministri i jashtëm, Aldo Bumçi, paraqiti “justifikimin” joserioz se diplomacia e Shqipërisë e quante nismën malazeze të panevojshme, por mori pjesë në diskutimin e saj në Ohër dhe në korrik në Mal të Zi, meqenëse Serbia ngulte këmbë që të veprohej shpejt (“Sot”, 1 tetor 2013). Edhe ministri i Jashtëm i qeverisë Rama, Ditmir Bushati, nuk e sqaroi opinionin për pjesëmarrjen e tij në diskutimin e tretë në Nju Jork në muajin shtator.

 

Mekanizmi i reagimit publik, politik e historiografik, u vu disi në lëvizje me shkrimet e botuara ndërmjet datave 23 shtator e 3 tetor 2013, që përmbanin edhe thirrje si: “shqiptarët më mirë të pranojnë vdekjen, se jetën nën Serbi”, “larg nga bashkimi me armiqtë kombëtarë”, nga “fantazma e dalë nga pusi i së kaluarës”, etj. Heshtën për turp kanalet televizive, që zhurmojnë për gjithfarë gjepurash. Reagimi propagandistik u fashit pasi kryeministri Rama deklaroi: “Nuk ka asnjë projekt të tillë, qeveria e mëparshme ka plot faje, jo për këtë” (“Sot”, 2.10.2013). Por edhe pas kësaj deklarate deputetë shqiptarë shkuan në takimin e parlamentarëve të Ballkanit Perëndimor.

 

Është e pasaktë të thuhet se “nuk ekziston ndonjë projekt” i krijimit të “Unionit…”. Ai projekt ekziston qysh nga vitit 1844. Ekzistencën e tij e provojnë deklaratat politike. Presidenti i FYROM-it, Ivanov, është shprehur: “Të futemi në BE, pastaj flasim për union” (“GSH”, 27.9.2013). Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, ka thënë: “Një Jugosllavi e re është një iluzion. Ne kemi pasur dy eksperimente me Jugosllavinë, të parën e të dytën, dhe të dyja përfunduan në gjak. Në termat e një asociacioni politik, nisma e Luksiqit nuk ka asnjë kuptim” (“Sot”, 27.9.2013). Fjalët e Mesiqit na sjellin në kujtesë thënien profetike të kryeministrit të fundit të qeverisë monarkiste të Jugosllavisë, Dr. Subashiq, se: “Jugosllavia e dytë është Jugosllavia e fundit” (Ilia Jukiq “The fall of second Jugosllavia). Jugosllavia e dytë vërtet ka vdekur. Por, litari i arkivolit mbetet jashtë varrit. Vetëm një dekadë pas luftërave genocidale që shpërtheu Serbia në Ballkan, “Nisma Luksiq” shpalos dinakëri e hipokrizi, kur ende zbulohen varre masive të viktimave të agresionit serb e malazez në Bosnje e në Kosovë, kur nuk janë gjetur mijëra të zhdukur, nuk janë pastruar minat e mbjella nga ushtria serbe. Pra, mbeten vepruese të gjitha ngatërresat që rrënuan ish-Jugosllavinë.

 

Edhe Adem Demaçi, dikur ithtar i një “unioni” shqiptaro-serbo-malazez (“Ballkania”), tani shprehet ndryshe: “Neve nuk na intereson çfarë planesh bëjnë të huajt, të tjerët… Puna e Jugosllavisë njëherë e përgjithmonë ka mbaruar dhe ne shqiptarët kemi derdhur gjak dhe më vonë kemi festuar që kemi dalë nga ajo… Nëse shtetet sllave dëshirojnë të rijetësojnë këto plane atëherë ta bëjnë të vetme, pasi që shqiptarët nuk e kanë ndërmend të futen përsëri aty”. (“Sot”, 3.10.2013).

 

Por një pjesë e diplomacisë së Bashkimit Europian mendon ndryshe. Sekretari për zgjerim, çeku Fyle, e ka përshëndetur “Nismën Luksiq”. Fyle dhe sllovaku Kukan, veqilë të politikës së BE-së në Ballkan (të formuar si diplomatë në Moskë), sillen si Çartoriskij e Zahu para dy shekujsh që nxitin krijimin e “Serbisë së Madhe”, në vend që hobin për bashkime të reja mbishtetërore në Europë ta kënaqin duke rikrijuar Çekosllovakinë e tyre të para 20 viteve. “Diplomacia Eshton”, gjithashtu, po krijon pështjellime të vazhdueshme, që çojnë në skeletizimin e mëtejshëm të pavarësisë së Kosovës, çka është inkurajim për politikën serbomadhe. Në Bruksel e dinë se shqiptarët janë më të eturit të integrohen në Perëndim. Por, duan t’i lënë përsëri në Lindjen sllavo-bizantine, siç bënë në mbarim të LDB-së, kur u ndanë zonat e sundimit ndërmjet bllokut socialist sovjetik dhe atij kapitalist demokratik perëndimor. Brukseli e pëlqen projektin e “Unionit…”, që ta shtyjë për një kohë të pacaktuar zgjerimin e BE-së në vendet e fundit ballkanike, në radhë të parë në ato me shumicë të popullsisë autoktone myslimane, Kosovën e Shqipërinë. Brukseli nuk është gati të përqendrohet te zgjidhjet reale të çështjeve boshnjake, shqiptare, maqedonase, prandaj parapëlqen t’i lërë 4,355,000 myslimanë shqipfolës, 1,903,000 myslimanë boshnjakë sllavishtfolës (Ina Merdjanova, “Rediscovering the Umma”, 2013 f.7,108) si pakica fetare në “Unionin..” e kontrolluar nga Serbia ortodokse. BE dhe SHBA shpresojnë se kështu mund ta nxjerrin Serbinë nga ndikimi i fuqishëm i Rusisë. Serbia po tregohet e shkathët që të përfitojë nga të dyja palët, si dikur Jugosllavia e Titos.

 

Dy dekadat e fundit mbi hartën e Ballkanit janë hequr disa vija ndarëse vertikale, horizontale e zigzage. Në mesin e viteve 1990 lindi “nisma Uilliam Perri” (Sekretari Amerikan i Mbrojtjes) për një “bashkëpunim ushtarak në Ballkanin Jugor”, që Kosovën e trajtonte si pjesë të “Ballkanit Verior”. Më pas lindi nisma amerikane e “Kartës së Adriatikut” që të përgatiteshin Shqipëria, Kroacia dhe FYROM-i për të hyrë në NATO. “Modeli Luksiq” është më i riu, por edhe më absurdi nga projektet e propozuara për bashkim shtetesh. Këtë vlerësim e kam bërë në “Rimëkëmbja” më 24.6.2003: “Gjëja që ra më shumë në sy në “Samitin e Selanikut” ishte reklama për takimin dypalësh BE-Ballkani Perëndimor. Termat shumë enigmatike “Ballkan Perëndimor” kanë filluar të përdoren tani vonë dhe përfaqësojnë diçka të paqartë. Më në fund në Selanik, u formalizua nga Europa se Ballkani Perëndimor përfshika ish-republikat e Federatës Jugosllave të dikurshme minus Slloveninë dhe plus Shqipërinë. Kështu, Europa në mënyrën siç e trajton Ballkanin Perëndimor tregon se do ta krijojë Jugosllavinë e tretë. Jugosllavia nisi me marrëveshjen serbo-kroate në Korfuz më 1917 dhe u formalizua ndërkombëtarisht në Konferencën e Versajës si Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene për t’u bërë më vonë Jugosllavi. Jugosllavia II komuniste e Titos u krijua në Jajce dhe u formalizua në Jaltë si federatë. Tani që kjo nuk ekziston më Europa përpiqet ta rikrijojë nën mantelin e Ballkanit Perëndimor, duke realizuar projektin titist të përfshirjes së Shqipërisë. “Jugosllavia e tretë” që nis në Selanik është shumë afër projektit që pat bërë Stalini për ta lënë Bullgarinë e Rumaninë jashtë saj. Europa, pra, po bën atë që kishte ndërmend Stalini. Europa përjashton Turqinë nga Ballkani, bën Greqinë qehaja të saj në Ballkan dhe njëherësh sajon projekte për të mos lejuar që çështja shqiptare të shtrohet si çështje e veçantë. Selaniku për ne shqiptarët është Korfuz, Versajë, Jajce e Jaltë”.

 

Pas 10 vitesh shohim që politika dhe diplomacia shqiptare janë zënë në grackën e kësaj terminologjie. Nuk është menduar se “Unioni…” do të nxisë xhelozi e nervozizëm në Greqi, ku janë të përhershme lakmitë për aneksime “kompensuese” në Shqipërinë Jugore. Ish-kryeministri Fatos Nano, pat hedhur idenë në parlamentin shqiptar që në Ballkanin Perëndimor të përfshihej edhe Greqia, se kjo përforconte prirjet perëndimoriste në Serbi. Më 9 shtator 2013 diplomacia shqiptare shpjegoi se marrëdhëniet e Shqipërisë mbështeten në lidhjet e forta me aleatët e mëdhenj strategjikë, SHBA e BE dhe në “Trekëndëshin strategjik” Turqi-Greqi-Itali. Duket si një rikthim tek “Formula Perri” për Ballkanin Jugor. Do të jetë ushtrim i vështirë për Shqipërinë që trupin ta zgjasë në “Ballkanin…” dhe këmbët t’i mbështesë në brinjën greke të “Trekëndëshit strategjik”.

Në Shqipëri ka zëra se mund të jenë miqtë tanë perëndimorë që e rekomandojnë “Nismën Luksiq”, se amerikanët paskan sugjeruar (nuk thuhet kur, ku, nga kush) që kryeqyteti i Ballkanit Perëndimor të bëhet Tirana. Nuk duhet të humbasim orientimin kombëtar nga të tilla arsyetime. Është më e dobishme të ndjekim logjikën e zëvendëskryetarit, të Knesetit (parlamentit) izraelit: “Gjatë gjithë historisë Izraeli është sjellë në punët e tij në atë mënyrë që t’i pëlqejë, ose të paktën të mos e fyejë, partnerin dhe aleatin e vet më të ngushtë, SHBA. Për kombin tonë të brishtë e me pozita të lëkundshme mbështetja amerikane ka qenë kyçi i suksesit dhe për këtë izraelitët janë të bekuar dhe përjetësisht mirënjohës. Por, historia tregon se kur ne veprojmë vetë, sipas interesave tona më të mira, rezultatet janë më të mira jo vetëm për Izraelin, por për paqen në botë në përgjithësi. (Danny Danon “Israel. The will to prevail”, 2012, f. 1-2). E di edhe unë se nuk jemi në gjendje të sillemi si Izraeli. Por, kur tentohet të na fusin në suazën e “Serbisë së Madhe”, duhet t’i themi “JO” si atij që na shkurajon me trysni, ashtu dhe atij që na thotë se mund të përfitojmë. Besoj se kështu i shërbehet më mirë ruajtjes së identitetit dhe respektimit të dinjitetit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.