Lajmet e fundit
Europdeputeti Kukan: Zgjedhjet e 21 qershorit. “Nuk ishin të lira e të ndershme”

Europdeputeti Kukan: Zgjedhjet e 21 qershorit. “Nuk ishin të lira e të ndershme”

Europdeputeti Eduard Kukan ka qenë i drejpërdrejtë në vlerësimin e tij për zgjedhjet e 21 qershorit. “Nuk ishin të lira e të ndershme” është shprehur ai në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian që diskutoi raportin e OSBE – ODIHR.

“Shqipëria nevojitet të ketë standarde më të larta në zgjedhje duke qenë se është një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Duhet të shqetësohemi për sfidat, që janë edhe teknike dhe politike në zgjedhjet shqiptare. Në aspektin teknik shikoj probleme te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa i përket afateve, udhëzimeve. Nga ana tjetër sfidat politike ishin të shumta në numër duke nisur nga politizimi i institucioneve shtetërore, që rrezikojnë administrimin e procesit elektoral, përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime fushate, akuzat për blerje votash, mungesa e transparencës në financimet e fushatës. Këto janë probleme shumë serioze ku nevojitet përgjegjësi e qartë politike. Të gjitha këto çështje janë përmendur në raport dhe më japin përshtypjen se zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri nuk mund të përshkruhen si të lira dhe të ndershme. Dekriminalizimi i politikës është një tjetër çështje që më shqetëson shumë. E dimë që ka qenë një problem për një kohë të gjatë. Në Parlamentin Evropian kemi pritur që kjo çështje do të zgjidhej përpara zgjedhjeve lokale. Edhe pse këto zgjedhje ishin një shans për partitë politike reagimi ka qenë i paqartë. Dëgjojmë çdo ditë për deputetë me të shkuar kriminale, të cilët përpiqen të përdorin imunitetin. Rekomandimet e OSBE- ODIHR duhen zbatuar plotësisht”, u shpreh Kukan.

Kryesuesja e misionit vëzhgues të OSBE – ODIHR, Audrey Glover, foli me shqetësim për blerjen e votave.

“Akuzat për blerje votash vazhduan edhe në këto zgjedhje duke përfshirë të gjitha partitë kryesore. Kjo rriti shqetësimin që votuesit të kishin mundësinë të votonin të lirë. Kishte një mungesë transparence për financat e fushatës. Partitë politike mund të financonin fushatat e tyre duke përdorur fondet publike dhe donacione private, por kandidatet e pavarur nuk kishin mundësi për financim publik”, tha ajo.

Kukan e Glover, ashtu sikundër edhe ambasadorja e BE –së, Romana Vlahutin, folën me shqetësim edhe për dekriminalizimin e politikës.

“Përpara zgjedhjeve ne bëmë një fushatë të gjerë kundër blerjes së votës, votimit familjar. Një tjetër temë që kemi prekur ishte dekriminalizimi i politikës në Shqipëri. Kjo fatkeqësisht është një dukuri e përhapur dhe nuk është hera e parë dhe shpresoj që këtë vjeshtë do të kemi më në fund një legjislacion që do nënvizojë qartazi se kush mund të marrë pjesë në zgjedhje apo të kërkojë pozicione në jetën publike. Jam e lumtur që ka një angazhim të qartë nga mazhoranca dhe opozita për të përmbushur rekomandimet. Duhet ti japim shume rëndësi fuqizimit të qytetarit për pjesëmarrje aktive kur bëhet fjalë për vëzhgimin e zgjedhjeve”, deklaroi Vlahutin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.