Në prag të Vitit të Ri, familja e Kujtim Kryeziut nga Pagarusha, është bërë me shtëpi banimi.
Ndërtimin e shtëpisë, e ka mundësuar humanisti Skënder Kryeziu, i cili po vazhdon me punën e tij humane, në ndihmë të familjeve, të cilat jetojnë në kushte të rënda socio-ekonomike. Kjo shtëpi, është njëra nga 14 shtëpitë që është duke i ndërtuar ky humanist.
Ne ceremoninë e dhënies së çelësave të shtëpisë, përveç banorëve të këtij fshati, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili e falënderoi humanistin Skënder Kryeziu, për këtë gjest human dhe ftoi edhe njerëzit e tjerë, të cilët kanë mundësi, ti bashkohen kësaj iniciative. “Komuna ka një fond për raste të këtilla, por është i pamjaftueshëm, prandaj gjesti human i Skënder Kryeziut, është shumë i madh, pasi ka bërë me shtëpi këtë familje. Ju bëjë thirrje të gjithë atyre njerëzve të vullnetit të mirë, që ti bashkohen kësaj iniciative dhe ti ndihmojnë të gjithë ata që kanë nevojë”, tha kryetari Begaj.
Ndërsa vet Skënder Kryeziu, tha se “deri në fund të janarit, planifikon të përfundoj edhe ndërtimin e shtatë shtëpive tjera, kurse këto ditë mendon të përfundojnë punimet në tri të tjera dhe këto familje, do të kenë jo thjesht strehë mbi kokë, por kushte për jetesë normale”.
“Ndihem shumë mirë dhe e falënderoj Skënder Kryeziun, për ndihmën që na ka bërë familjes sime gjashtë anëtarëshe, pasi nga sot, nuk do të jetoj në shtëpinë e improvizuar, me lagështi, por në shtëpi me kushte shumë të mira për jetë”, tha Kujtim Kryeziu, pronar i shtëpisë, pasi i mori çelësat e shtëpisë. Kujitmi, po ashtu falënderoi edhe Komunën e Malishevës, që gjithashtu e ka ndihmuar këtë familje.
Shtëpia e tij, është një kat e gjysmë, me dhomë gjumi, kuzhinë, dhomë dite dhe e kompletuar me të gjitha standardet e një shtëpie moderne për jetesë.