Familjarë të të vrarëve dhe të burgosurve nga rasti i Kumanovës kanë protestuar sot në Pejë për të kërkuar më shumë angazhim nga shteti i Kosovës për zbardhjen e këtij rasti. Ata kanë thënë se do të bëjnë edhe padi dhe se do të protestojnë edhe para Qeverisë në Prishtinë.
Rreth 300 qytetarë kryesisht nga Peja dhe rrethina e saj, kanë protestuar sot në qendër të Pejës duke kërkuar drejtësi për rastin e Kumanovës. Duke u thirrur në mbrojtjen e qytetarëve si obligim kushtetues, familjarët e viktimave të rastit Kumanova, kritikuan institucionet kosovare për mosinteresimin e tyre ndaj shtetasve kosovarë që janë vrarë e burgosur në Maqedoni.
Ata kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për tërë rastin ndërsa kanë thënë se do të bëjnë edhe padi ndaj shtetit maqedon dhe se tashmë i kanë dorëzuar dëshmi në KMDlNJ.
Ndërkaq ish-komandanti i UÇK-së, Hysni Shaqiri, tha se fajtori kryesor për tradhtinë që u është bërë luftëtarëve në Kumanovë, është Ali Ahmeti, i cili ende vazhdon të jetë pjesë e qeverisë maqedone.
Në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh, këshilli i familjarëve të viktimave të Kumanovës, ka paralajmëruar se do të protestojnë edhe para qeverisë në Prishtinë.
Nga luftimet në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, ku u patën vrarë 11 pjesëtarë të UÇK-së, ende 29 shqiptarë janë të burgosur në Maqedoni. /Koha.net/