Ja letra e Deputetit Faton Topallit nga Lëvizja Vetëvendosje :
Faton Topalli – Të dashur miq, shokë, shoqe,
Të dashur aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!
Po ju shkruaj nga qendra e paraburgimit në Prishtinë. Në pamundësi për ti shkruar secilit veç e veç po ju drejtohem me një letër publike, përmes së cilës dua të ju falënderoj për mbështetjen para dhe pas arrestimit tim. Kur Kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaqi urdhëruar nga foltorja e improvizuar e Kuvendit të Kosovës arrestimin e deputetëve të Opozitës, ndodhesha për vizitë familjare në Zvicër dhe për punë personale.
Disa media publike shkruan se ndodhesha në arrati, gjë që u vërtetua si e pavërtetë. Nga mjetet publike të informimit morra vesh se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar për mua një fletë arrest.
U ktheva në Kosovë i vetëdijshëm se do të arrestohesha , pasi nuk e kisha ndërmend ti ikja drejtësisë. Sot ndodhem në burg për shkak se kam kundërshtuar kthimin e pushteti serb në Kosovë. Për të njëjtën arsye jam ndjekur nga pushteti serb për 20 vite me radhë.
Në këtë qeli në të cilën ndodhem unë kanë qëndruar dhjetëra e qindra atdhedashës që kanë kundërshtuar pushtetin serb në Kosovë. Mustafa e Thaqi duan ta jetësojnë Zajednicën përmes arrestimit të deputetëve të Opozitës. Ne ju treguam se Zajednica nuk kalon! Ideali ynë për një shtet sovran është më i fuqishëm se çfarëdo represioni të pushtetit dhe mekanizmave të tij!
Unë ju ftoj të gjithë juve që më keni nderuar duke më votuar për t`ju përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, ta kundërshtoni Zajednicën.
Lufta jonë politike nuk është luftë për pushtet , ajo është luftë për shtet. Pushtetin ne do ta fitojmë me votë.
Pushteti ynë do të jetë pushtet i qytetarëve, ndërsa ne si forcë politike shërbyes të tyre.