Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli i cili gjendet në arrati ka thënë se qeverisja Thaçi- Mustafa e ka kthyer Kosovën 16 vite mbrapa.
Më poshtë është postimi i plotë i deputetit Topalli:
“Dy Kryeministrat e fundit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa premtuan së bashku 350 000 vende të reja pune.
Sot, saktësisht një vit pas qeverisjes së tyre jo që nuk u krijuan 87500 vende të reja pune sa do të duhej të krijoheshin sipas premtimit të përbashkët në vitin e pare, por sipas Agjencisë për Statistike të Kosovës, janë mbyllur 15 000 vende pune.
Buxheti i Kosovës, në krahasim me vitin e kaluar është shtuar për gjithsej 68 Milionë euro edhe atë falë shtrëngimit të lakut në qafën e konsumatorëve duke shtuar TVSH-ën. Kjo jo që nuk rriti mirëqenien e premtuar qytetare, por shtoi nivelin e varfërisë së tyre.
Zbatimi i ligjit për sigurime shëndetësore, që u shit edhe si ligj për zbutjen e varfërisë po shtyhet në pafundësi, papunësia po shtohet, informaliteti në ekonomi është në rritje, sistemi pensional nuk siguron ekzistencë minimale, sistemi arsimor është degraduar tërësisht.
Për një vit kjo qeverisje e përbashkët arriti të largoj 100 000 qytetar nga Kosova, të krijoj kushte për kthimin e Serbisë në Kosovë dhe anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, t’i dhuroj tokë të Kosovës malit të Zi, ta ndjek opozitën dhe ta persekutoj atë si në kohën e Millosheviqit duke arrestuar deputet dhe duke përjashtuar opozitën nga Kuvendi i Kosovës.
Nuk do të më habiste fare nëse Kryeministri Mustafa me rastin e një vjetorit të qeverisjes së tij, si një sukses të ri për ditëlindjen e qeverisë së përbashkët LDK-PDK, do të arrestonte edhe deputetë të tjerë dhe aktivistë të opozitës”, ka shkruar Topalli në profilin e tij në Facebook.