Forca e Diasporës për Atdheun (FDA)- është shumë e shqetësuar me gjendjen aktuale politike në Kosovë, thuhet në një njoftim të lëshuar për medie.
Zhvillimet e muajve të fundit, bllokada politike e cila po shpërfaqet posaçërisht nga opozita duke përdorur metoda të paligjshme anarkike të cilat sjellin edhe kërcenim të drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe organeve të tij, është shqetësuese dhe e papranueshme.FDA- konstaton se, gjendja në Kosovë është më se alarmante, si pasoj e sjelljes së pahijshme dhe të pamoralshme, të politikës, e cila pa dallim pozitë-opozitë, e zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar, po e dëmton rëndë shtetësinë edhe ashtu të brishtë të Republikës së Kosovës.
Hallkat zinxhirore të pushtetit, në Kosovë, nuk prodhojnë më asgjë përpos rrëmujave, mjegullinave, përçarjes së vazhdueshme dhe manipulimit përmes imazheve, shpeshherë të rrëme me masat, të cilat, të varfëruara skajshmërisht, po injorojnë politiken në tersi dhe po qëndrojnë indiferent dhe pasiv, duke shpërfaqur mosbesimin e madh ndaj politikës në terësi.Kosova nuk ka nevojë, për subjekte politike në qeveri, të cilat, plaçkisin qytetarët sistematikisht, me krim, korrupsion e marifete tjera. Kosova, nuk ka as nevojë për subjekte opozitare, të cilat në mungesë ideve politike, alternativash e argumentesh dhe me qellim kapjen e pushtetit me çdo kusht, krijojnë anarki në vend duke kërcënuar edhe promovuar idenë e luftës qytetare. Kosova ka nevojë për ide të reja inovative, të cilat ofrojnë paqe dhe stabilitet ekonomik e politik, si dhe rindërtim të imazhit tashmë të nëpërkëmbur të Kosovës gjithandej në arenën ndërkombëtare.
Diaspora shqiptare, ënde vazhdon të kontribuoj, për paqen sociale në vend, si donatori më i madh, pa të cilin do të shpërthente vërtetë kaosi. Mirëpo, politikbërja në vend, po e injoron këtë fakt, duke synuar instrumentalizimin edhe të diasporës dhe shfrytëzimin e saj për interesa klanesh. Kosova dhe institucionet e saj, po trajtohen si të uzurpuara, si pengje e plaçka luftë. Po tjetërsohen pronat publike në shërbim të pasurimit të klaneve dhe në kurriz të së mirës së përgjithshme. Prandaj, duke parë këtë gjendje në Kosovë diaspora shqiptare, shumë shpejtë do të filloj, të marrë hapa konkret për krijimin e një ideje dhe force të re politike në vend, e cila do të përbëhet kryesisht nga ekspert të lëmive të ndryshme nga diaspora, e cila do të shërbej si masë e domosdoshme për daljen nga kolapsi dhe do të garantoj stabilitet shtetëror, rënd dhe ligj, për të gjithë.
Nëse ja kemi dalë që Kosovën ta çlirojmë nga armiqtë, atëherë do t’ia dalim, ta çlirojmë edhe nga maskarenjtë!
Me respekt, Këshilli Drejtues
Forca e Diasporës për Atdheun (FDA)
Kryetari: Hamdi Muhameti