Lajmet e fundit
Ferizaj, 17 vjet burg për vrasje

Ferizaj, 17 vjet burg për vrasje

Gjykata Themelore e Ferizajt, Departamenti për Krime të Rënda, në përbërje të trupit gjykues: kryetar Ibrahim Idrizi, anëtar Arben Hoti e Sahit Krasniqi, ka shpallur fajtor të akuzuarin Agrush Kuqi, për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 1, nën paragrafi 9 të KPK-së.

Trupi gjykues i këtij rasti, shpallën fajtor të akuzuarin Agrush Kuqi dhe shqiptuan një dënim të përgjithshëm prej 17 vitesh për vrasjen e të ndjerit Sefer Loku .

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, konfirmoi se i akuzuari Agrush Kuqi shpallet fajtor se me dashje nga hakmarrja e paskrupullt e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Loku i moshës 35 vjeçare.

“Sot me datë 23.10.2013 trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit shpall dhe publikisht komunikon këtë Aktgjykim. I akuzuari Agrush Kuqi është fajtor se me datë 27.06.2009 rreth orës 16:20 në fshatin Kotlinë komuna Hani i Elezit, me dashje direkte nga hakmarrja e paskrupullt e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Loku i moshës 35 vjeçare. Me këtë kreu veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 147/1/9 të KPK-së. Andaj Gjykata në bazë të dispozitave dhe neneve 3, 6, 11, 15, 34, 38, 64 dhe neni 147/1/9 të KPK-së dhe neni 365 të KPPK-së e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 17 vitesh. Në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe atë prej datës 27.06.2009 deri sa aktgjykimi të marr formën e prerë por jo edhe më gjatë se dënimi i shqiptuar në këtë aktgjykim”, tha Idrizi.

Ibrahim Idrizi kryetar i trupit gjykues, para shpalljes së aktgjykimit të këtij rasti, ka dhënë edhe arsyetimin e trupit për vendimin e marr.

“Në këtë Gjykatë ky trup gjykues ka mbajtur disa shqyrtime gjyqësore në këtë çështje penale, janë dëgjuar dëshmitarët, mbrojtja e të akuzuarit, janë shtjelluar provat materiale duke filluar prej raportit të autopsisë, atij mjekësor, vërtetimi i konfiskimit të armës, raporti i ekzaminimit për armën, pastaj procesverbali për bastisjen si dhe krahas kësaj shikimi dhe raporti i vëzhgimit të vendit të ngjarjes, është bërë edhe rikonstruksioni i vendit të ngjarjes nga ana e trupit gjykues me pjesëmarrjen e palëve dhe ekspertëve mjeko-ligjor dhe të balistikës. Trupi gjykues të gjitha këto prova i ka vlerësuar një nga një dhe bashkërisht. Në veçanti janë vlerësuar dy versione të paraqitura lidhur me këtë rast, versioni i të akuzuarit dhe mbrojtësve të tij, se si erdhi deri te ngjarja kritike e datës 27.06.2009 me ç ‘rast është privuar nga jeta tani i ndjeri Sefer Loku, se deri te vrasja e tij ka ardhur nga pakujdesia e të akuzuarit Agrush Kuqi. Versioni tjetër i prokurorit të shtetit në aktakuzë se vrasja ka ardhur nga hakmarrja e paskrupullt”, tha Idrizi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

I akuzuari, A.K. i shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Ferizaj, gjendet në masën e paraburgimit që nga 27.06.2009, masë kjo e cila iu është caktuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ndërkohë lënda më pas që nga 1 janari pas rikthimit në gjykim nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës iu është dorëzuar Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.