Lajmet e fundit

Figurat kryesore të PDK-së bojkotojnë Këshillin e Përgjithshëm

Viti 2016 pritet të jetë vit i rëndësishëm për Kosovën, ku pritet të bëhet themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, liberalizmi i vizave, rritja e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimi më i qëndrueshëm ekonomik. Kështu tha kryetari i PDK-së Hashim Thaçi në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së për fund vit.

Para shumë pak njerëzve prezent Thaçi tha se gjendja aktuale politike do të tejkalohet me rrugën e komunikimit dhe bashkëpunimit.

Në këtë mbledhje nuk ishin prezent figurat qendrore të PDK-së si nënkryetari i parë i PDK-së, Kadri Veseli, pastaj, Hajredin Kuçi, Enver Hoxhaj, Bajram Rexhepi, Adem Grabovci, Elmi Reçica, Besim Beqaj, Flora Brovina dhe shumë figura tjera të PDK-së.

Thaçi tha PDK vazhdon të mbetet si partia më e konsoliduar dhe më e fuqishmja me besimin e lartë të qytetarëve në Kosovë.

Ky progres lidhet drejtpërdrejt me kontributin e PDK-së. Thaçi mbetet me shpresë se viti 2016 do të jetë vit i liberalizimit, shndërrimi i FSK-së në ushtri, zhvillim ekonomik.

Kreu i PDK-së duke uruar festat e fund-vitit anëtarë të Këshillit të partisë së tij tha se mbetet me shpresë, optimizëm dhe besim të plotë se edhe viti i ardhshëm do jetë viti i vendimeve të rëndësishme për vendin tonë.

Thaçi: Viti 2016, vit i liberalizimit dhe themelimit të FAK-ut

“Mbes me shpresë, optimizëm dhe besim të plotë se edhe viti 2016 do jetë viti i vendimeve të rëndësishme për vendin tonë. Do jetë viti i liberalizimit të vizave, do jetë viti i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, i zhvillimit ekonomik, i progresit, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve. Do jetë një vit evropian për Republikën e Kosovës dhe fryma e energjia, kontributi i juaj drejt i ndërlidhur drejtpërdrejt në vendimmarrje në Kosovë”, tha Thaçi.

Për sa i përket krizës politike, Thaçi tha se ka besim të plotë se do të tejkalohet me frymën e komunikimit dhe bashkëpunimit dhe me logjikën e shtet ndërtimit tonë. Ai tha se viti 2015, ishte një vit i progresit një vit i suksesit, një vit i sfidave dhe ballafaqimeve, por edhe një vit i progresit substancial për konsolidimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë.

Thaçi: Do ta tejkalojmë krizën politike

“Edhe sa i përket zhvillimeve tjera politike aktuale që i kemi, janë zhvillime të cilat unë kam besim të plotë se do t’i tejkalojmë me energji pozitive, me bashkim të energjive tona, me frymën e komunikimit, të bashkëpunimit dhe logjikën shtet ndërtuese të vendit tonë”, tha kreu i PDK-së Thaçi.

Ai në Këshillin e Përgjithshëm të PDK-së tha se kjo parti vazhdon të jetë partia e reformave në Kosovë, partia evropiane, partia edhe e të sotmes e ndërtuar mbi një bazament të fuqishëm kombëtar por edhe partia e së ardhmes. Thaçi tha se PDK ka vizion të qartë politik për shtet ndërtim, për zhvillim dhe për krijimin vendeve të reja të punës.

Thaçi: PDK mbetet më e konsoliduar dhe më e fuqishmja

“Tash e një dekadë PDK vazhdon të mbetet si partia më e konsoliduar, më e fuqishmja me besimin më të lartë të qytetarëve në Republikën e Kosovës. Me vizionin më të qartë politik për shtet ndërtim, për zhvillim, për krijimin vendeve të reja të punës dhe për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve për të ardhmen Euro-atlantike”, tha i pari i PDK-së Thaçi.

Ai para anëtarëve të kësaj partie tha se PDK do të vazhdoi të mbetet partia më e suksesshme dhe e fitoreve të reja edhe në të ardhmen./K.Press

Leave a Reply

Your email address will not be published.